Zvicra zgjeron mbështetjen për familjet e prekura nga tërmeti përmes 3 linjave

Misioni i dërguar nga qeveria zvicerane në përgjigje të tërmetit në Shqipëri zgjeron operacionet e tij duke shkuar direkt tek njerëzit e ndikuar. Linja e parë e veprimit fokusohet në kontrollet e qëndrueshmërisë së ndërtesave përmes inxhinierëve të strukturave. Linja e dytë e veprimit është mbështetja për strehimin.

“Shumë njerëz në zonat rurale janë dëmtuar nga tërmeti. Ata nuk kanë vend tjetër ku të rrinë dhe i duhet të mbeten pranë banesave dhe pronave të tyre. Zvicra po siguron çadra familjare në këto zona në mënyrë që njerëzit t’i vendosin pranë shtëpive të tyre”, tha Sebastian Eugster, drejtues i ekipit të misionit humanitar nga Ministria e Jashtme e Zvicrës.

Maminasi ishte vendndodhja e parë ku iu dorëzuan çadra autoriteteve vendore dhe ku ekipi asistoi në ngritjen e tyre.

Në total misioni zviceran po jep 100 çadra të kompletuara për dimër. Ekipi dorëzoi 70 çadra me 280 krevate në zonat rurale në Kurbin ndërsa në rajonin e Durrësit 30 çadra dhe 130 krevate. Gjithashtu, pjesë e pajisjeve janë bataniet dhe mbulesa tarpauline, të cilat sigurojnë komoditetin e duhur si dhe rezistencë ndaj motit të keq. Për shumë njerëz të cilët janë strehuar në llojë të ndryshme ndërtesash, ekipi zviceran po siguron krevate dhe batanije.

Linja e tretë e veprimit është sigurimi i asistencës financiare për familjet e prekura nga tërmeti. Kjo do të bëhet në bashkërendim me qeverinë dhe bashkitë. Kjo asistencë do të mundësojë që shtëpitë më të prekura të mund të parballojnë nevojat urgjente.

Zvicra ka mbështetur zhvillimin e Shqipërisë për më shumë se 20 vite përmes një programi të gjerë bashkëpunimi në shumë nga reformat e vendit. Kjo mbështetje do të vazhdojë dhe po diskutohen mundësitë e adaptimit të programit si përgjigje ndaj tërmetit.