KRYESORE

Akuzat për lidhje me ‘DH Albania’, ministri Gjiknuri: Nëse vërtetohet se kam qenë në Delaware, jap dorëheqjen

Akuzat për lidhje me ‘DH Albania’, ministri Gjiknuri: Nëse

Ministri i Infrastrukturës, Damian Gjiknuri e ka konsideruar aktivitet kriminal skandalin e kompanisë ‘DH Albania’ dhe ka theksuar se është i hapur të hetohet për këtë çështje. I akuzuar nga kundërshtarët politikë për lidhje me këtë kompani, Gjiknuri u shpreh skandali do të zgjidhet nga hetimi penal që ka nisur në SHBA.

“Deklaroj me përgjegjësi të plotë se s’kam patur lidhje dhe s’kam asnjë dijeni mbi këtë aktivitet kriminal dhe për kompaninë. Jam i hapur të hetohem. Në SHBA ka nisur dhe një hetim penal, presim rezultatet e hetimeve në SHBA, kush janë aksionerët e vërtetë dhe lidhjet me personat e tjerë. Projekti i ‘Unazës së Madhe’ do të vazhdojë, në dy lotët e tjerë vijon puna”, deklaroi ministri.

Sa i përket vizitës së tij në SHBA në kohën kur krijohej ‘DH Albania’, Gjiknuri theksoi se agjenda e vizitës së tij ishte publike. Gjiknuri kujtoi se në atë periudhë për vizitë në SHBA ka qenë edhe Monika Kryemadhi, kryetare e LSI-së.

Ministri u shpreh i gatshëm të jepte dorëheqjen nëse vërtetohej se ai ka shkelur në Delaware, shtet amerikan të cilin drejtuesit e kompanisë e kishin përdorur për të falsifikuar dokumentat.

“Po kam qenë në SHBA në 25 qershor deri në 29 qershor, kam qenë në vizitë zyrtare, vizita ime ishte publike. Janë akuza qesharake. Për të bërë lidhje të tilla, se meqë Kryemadhi ishte në atë periudhë në SHBA ishte për hapur ndonjë kompani. Janë akuza banale. Fat i mirë që në SHBA po bëhen hetime.  Nëse kam shkelur në atë shtet jam gati të jap dorëheqjen, në të kundër duhet të kërkojnë falje të madhe publike”, u shpreh Gjiknuri gjatë komunikimit me gazetarët.

Të fundit