Flash News
E rëndë në Krujë/ 42 vjeçarja futi në qese dhe hodhi në lumë foshnjën e porsalindur në shtëpi
Presidenti Begaj dekreton ligjin për zonat e mbrojtura
Mbytet në ujin e shatërvanit një i mitur afgan në Shëngjin
“Minuan sundimin e ligjit”, DASH shpall ‘non grata’ tre zyrtarë të lartë në Ballkan
Akuzohet për 4 vepra penale/ SPAK nis hetimet ndaj drejtorit të Tatimeve, Ceno Klosi
Arrestimi i Edmond Begos, Policia e Shtetit reagon zyrtarisht: Ne nuk e kemi shpallur në kërkim; dënimin e ka kryer
Pak orë pasi Gjykata greke vendosi ta mbajë në qeli shtetasin shqiptar Edmond Bego, Policia e Shqipërisë ka dalë me një deklaratë zyrtare ku thekson se ai nuk është shpallur në kërkim ndërkombëtar. Sipas Policisë së Shtetit, Bego nuk është në kërkim kombëtar dhe ndërkombëtar nga autoritetet policore shqiptare për llogari të ndonjë shteti tjetër.
Në deklaratën e policisë sqarohet se ai është arrestuar në vitin 2009-të për llogari të drejtësisë italiane dhe ka vuajtur vetëm 1 vit e 11 muaj burgim, duke përfituar nga amnisti të ndryshme në Shqipëri.
Pas lirimit nga burgu në vitin 2011-të, Bego ka qenë disa herë në Itali dhe Greqi.
“Për këtë shtetas nuk ka patur asnjë urdhër tjetër ndalimi ndërkombëtar përveç urdhërit të ndalimit të ekzekutuar nga Policia e Shtetit në vitin 2009, që do të vinte në lëvizje Interpol Tiranën dhe Policinë e Shtetit, apo ndonjë kërkesë nga autoritetet italiane dhe misionet e tyre policore në Tiranë, ndryshe nga sa u deklarua nga subjekti politik Partia Demokratike”, thuhet në deklaratën e Policisë së Shtetit.
Edmond Bego do të qëndrojë në burgun grek deri në mbërritjen e dosjes nga Italia, ndërkohë në Tiranë vijon debati politik, pasi opozita akuzon deputetë të Partisë Socialiste se kanë marrëdhënie me të dënuarin për trafik droge.
Deklarata e plotë e policisë:
Për dy ditë me radhë ka një debat publik, lidhur me ndalimin e shtetasit Edmond Bego në Greqi. Pas verifikimeve të kryera, Policia e Shtetit sqaron se në dosjen e Kërkimit dhe Arkivës së Interpolit, shtetasi shqiptar EDMOND BEGO, alias MANOLI BEGO, alias SAJMIR SINA, alias BELUL GJATARI, alias Mond BEGA, 48 vjeç, nuk është në kërkim kombëtar dhe ndërkombëtar nga autoritetet policore shqiptare për llogari të ndonjë shteti tjetër.
Sqarojmë se më herët, shtetasi Bego është arrestuar në datë 24 dhjetor 2009 në Tiranë për llogari të drejtësisë në Itali, me urdhër arresti ndërkombëtar të lëshuar në vitin 2009, nga Gjykata e Apelit të Torinos.
Nga Prokuroria e Përgjithshme në datë 11 shkurt 2010 në Policinë e Shtetit ka ardhur kërkesa për njohje e vendimit penal italian nr.1735, datë 22 prill 2008, i formës së prerë të vitit 2009 dhënë nga Gjykata e Apelit Torino, Itali.
Me vendimin nr. 807, datë 15 shtator 2010, Gjykata e Lartë në Shqipëri ka bërë njohjen e vendimit penal të huaj dhe ka dënuar përfundimisht me 4.4 vite burg këtë shtetas. Ai është liruar nga burgu në 24 nëntor 2011, pasi ka vuajtur rreth 1 vit e 11 muaj burgim, me vendim të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Krujë, e cila mbi bazën e kërkesës së të dënuarit ia konvertoi pjesën e mbetur prej 1.8 vitesh burgim, në liri me kusht. Pas këtij vendimi, Policia e Shtetit nuk ka asnjë mundësi tjetër veprimi.
Nga verifikimet e kryera në sistemin TIMS, shtetasi në fjalë ka dalje dhe hyrje nga territori shqiptar nga vitet 2013 deri në vitin 2018, edhe drejt Italisë. Ai në territorin italian ka hyrë 3 herë në vitin 2017, dhe në datë 13 korrik në vitin 2018. Bego në datë 8 gusht 2018 ka dalë nga PKK Qafë Botë drejt territorit grek, siç ka bërë edhe më herët në vitet 2014, 2015, 2016, 2017 dhe 2018, në disa raste në mënyrë të përsëritur.
Pra, për këtë shtetas nuk ka patur asnjë urdhër tjetër ndalimi ndërkombëtar përveç urdhërit të ndalimit të ekzekutuar nga Policia e Shtetit në vitin 2009, që do të vinte në lëvizje Interpol Tiranën dhe Policinë e Shtetit, apo ndonjë kërkesë nga autoritetet italiane dhe misionet e tyre policore në Tiranë, ndryshe nga sa u deklarua nga subjekti politik Partia Demokratike.
Policia e Shtetit apelon çdokënd t'i drejtohet asaj për informacion të saktë dhe zyrtar, duke shmangur keqpërdorimet për interesa politike të ditës.