Flash News

KRYESORE

Cilin standard ndjekin Demo dhe Gjylameti? Nga presidenti i Hungarisë te ministri gjerman, këto janë dorëheqjet e bujshme për shkak të plagjiaturës

Cilin standard ndjekin Demo dhe Gjylameti? Nga presidenti i Hungarisë te

Studiuesi Taulant Muka ka denoncuar dy raste ku zv/ministri i Arsimit, Ervin Demo dhe deputetja e PS, Blerina Gjylameti (kandidate për doktoraturë), dyshohen se kanë kopjuar artikujt e publikuar në revista të huaja.

Në një vend të Bashkimit Evropian apo në çdo vend normal demokratik këto pretendime do të shkaktonin reagime të forta dhe do sillnin dorëheqjen e personave përgjegjës, siç tregojnë rastet e mëposhtme, ndërkohë që në Shqipëri ky skandal po kalon në heshtje.

Ministria e Arsimit nuk ka bërë asnjë koment nëse pranon apo hedh poshtë akuzat për plagjiaturë ndaj zv/ministrit, ndonëse publikimet e Mukës lënë shumë pak hapësirë për dyshime. Edhe deputetja Gjylameti ka vepruar po njësoj duke qëndruar në heshtje.

Por cilin standard po ndjekin në këtë rast Ervin Demo dhe Blerina Gjylameti? E sigurtë është që nuk kanë zgjedhur standardin e kolegëve të tyre në BE.

Në dekadën e fundit ka patur shumë raste zyrtarësh të lartë në shtetet e BE-së që janë dorëhequr pasi janë akuzuar për plagjiaturë. Rasti i parë i bujshëm ishte ai i Karl-Theodor zu Guttenberg, ministër i Mbrojtjes së Gjermanisë, që ka hyrë në histori si “skandali i Guttenberg”, raporton Politiko.al.

Në 2011-ën, ministri gjerman u akuzua se kishte kopjuar në punimin e tij të doktoraturës, duke shkaktuar reagime të shumta në të gjithë vendin. Më 1 mars të 2011-ës, Guttenberg u dorëhoq si ministër i Mbrojtjes dhe kërkoi falje për skandalin ku ishte përfshirë.

Një vit më vonë, një tjetër shtet i BE-së, Hungaria, do të përfshihej në një situatë tillë, por këtë herë skandali përfshiu drejtuesin më të lartë, vet presidentin Pal Schmitt. Ai u akuzua gjithashtu se kishte kopjuar në punimin e tij të doktoraturës. Më 2 prill të 2012-ës, Schmitt u dorëhoq nga detyra pas dy vitesh si president i Hungarisë.

Raste të ngjashme ka patur edhe në Korenë e Jugut, Tajvan, Spanjë apo në Çeki, ku brenda një javë u dorëhoqën dy ministra për shkak të plagjiaturës.

Nisur nga këto raste, Demo dhe Gjylameti janë larg standardeve të kolegëve të tyre evropian dhe që Shqipërisë i kërkohen të përmbushë për t’u bërë pjesë e familjes së madhe evropiane.

Gjithsesi, të ngjashmit e tyre i gjen jo larg prej këtu, por në shtetin fqinj, Mal të Zi, ku në vitin 2014-të ministrja e Arsimit, Sanja Vlahovic u akuzua për plagjiaturë, por pavarësisht skandalit ajo jo vetëm që nuk u dorëhoq nga detyra, por pas mbarimit të mandatit u emërua ambasadore në Itali.

Lista me zyrtarët e lartë në botë që janë dorëhequr për shkak të akuzave për plagjiaturë:

Kim Byong-joon – Ministër i Arsimit, Kore e Jugut. Dorëzoi dorëheqjen në gusht të 2006.

Karl-Theodor zu Guttenberg – Ministër i Mbrojtjes, Gjermani. Dorëhequr më 1 mars 2011.

Pal Schmitt – President i Hungarisë. Dorëhequr më 2 prill 2012.

Ioan Mang – Ministër i Arsimit, Rumani. Dorëhequr më 15 maj 2012.

Annette Schavan – Ministre e Arsimit, Gjermani. Dorëhequr më 14 shkurt 2013.

Andrew Yang – Ministër i Mbrojtjes, Tajvan. Dorëhequr më 6 gusht 2013.

Tatana Mala – Ministre e Drejtësisë, Çeki. Dorëhequr më 10 korrik 2018.

Petr Krčá – Ministër i Punës, Çeki. Dorëhequr më 18 korrik 2018.

Carmen Montón – Ministre e Shëndetësisë, Spanjë. Dorëhequr më 12 shtator 2018. /Politiko.al

Të fundit