Flash News

KRYESORE

DASH godet Arben Ahmetajn dhe nxjerr jashtë loje Sonila Qaton: Shqipëria, jo vend ku duhet të investojnë bizneset amerikane

Departamenti Amerikan i Shtetit ka publikuar raportin për Klimën e Investimeve në të gjithë botën për vitin 2018-të, ku bizneset amerikane orientohen për vendet ku mund të investojnë kapitalin e tyre. Në këtë raport, Shqipëria nuk është përfshirë, çka do të thotë se vendi ynë nuk sugjerohet nga DASH si një destinacion ku duhet të investojnë bizneset e SHBA-së.

Pavarësisht problemeve të shumta, Shqipëria renditej në raportin e vitit të kaluar, por e njëjta gjë nuk ka ndodhur këtë vit.

“Deklarata e Klimës së Investimeve të Departamentit të Shtetit ofron informacione specifike për klimën në më shumë se 170 vende dhe përgatitet nga zyrtarët ekonomik të vendosur në Ambasadat (e SHBA) në të gjithë botën. Ata analizojnë ekonomi të ndryshme që janë apo mund të jenë tregje për bizneset e SHBA të të gjitha madhësive. Temat përfshijnë hapjen ndaj investimeve, sistemet ligjore dhe rregullatore, zgjidhjen e mosmarrëveshjeve, të drejtat e pronësisë intelektuale, transparencën, kërkesat e performancës, ndërmarrjet shtetërore, sjelljen e përgjegjshme të biznesit dhe korrupsionin”, thuhet në shpjegimin që DASH i bën këtij raporti.

Siç duket Shqipëria nuk ka përmbushur këtë vit asnjë nga kushtet e kërkuara nga Uashingtoni për bizneset amerikane.

Ky vendim i DASH është një goditje e madhe për kryeministrin Edi Rama dhe ministrin e Financave, Arben Ahmetaj, për politikat që ata ndjekin në krye të qeverisë, ndërkohë që nxjerr jashtë loje Sonila Qaton, ministren e Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes. Njëkohësisht, vendimi i Departamentit Amerikan ndikon negativisht në imazhin e Shqipërisë dhe rritjes së investimeve të huaja, çka penalizon shumë qytetarët shqiptarë.

Në raportin e vitit 2018-të përfshihen shtetet fqinje të Shqipërisë, si Mali i Zi dhe Kosova, ku bizneset amerikane orientohen që të investojnë.

Të fundit