Flash News

KRYESORE

Fotot/ Kush është biznesmeni që rikonstruktoi çerdhen ku ra zjarr; Veliaj i dha leje ndërtimi në qendër të Tiranës, lidhjet me PS

Në orët e para të mëngjesit të së enjtes një zjarr përfshiu një dhomë që shërbente si magazinë në çerdhen numër 14 në Tiranë. Policia tha se zjarri dyshohet të ketë rënë si pasojë e rrjedhjes së gazit nga një bombël gatimi.

Çerdhja ku ra zjarr në zonën e ‘Ali Demit’, është inauguruar nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj në shtator të 2015-ës.

Aso kohe, Veliaj ndërmori një nisëm të quajtur ‘adopto një çerdhe’, ku ftonte sipërmarrës që të kontribuonin në restaurimin e çerdheve të kryeqytetit.

Veliaj i cilësonte donatorët që ofroheshin si njerëz dashamirës që duan qytetin.

Në njoftimin e shpërndarë nga Bashkia për inaugurimin e rikonstruksionit të çerdhes numër 14 thuhej se donatori ishte Arben Muçobega.

Por përtej asaj që njofton Bashkia duket se donatori në fjalë e ka marrë shpërblimin e tij.

Dy vite pasi ka financuar rikonstruksionin e çerdhes numër 14, ndërtuesi me origjinë nga Tepelena por që jeton në Fier ka marrë një leje ndërtimi për ngritjen e një pallati në zonën e ‘Pazarit të Ri’ në kryeqytet.

Politiko.al ka siguruar foto nga vendi ku ndërtuesit Muçobega i është dhënë leje ndërtimi. Fotot i takojnë tetorit të vitit të kaluar kur sapo kishin nisur punimet.

Gjithashtu ndërtuesi në fjalë është i njohur për lidhje me Partinë Socialiste dhe deputetët e saj në Fier. Në një prej fotove ai shfaqet me deputeten aktuale Antoneta Dhima, dhe dy ish deputetët Ervin Koçi (sot kreu i AMF-së) dhe Omer Mamo, ish-deputeti i PDIU-së./Politiko.al

 

Të fundit