Flash News


OP-ED

Kalimi i Gruevskit në kufirin shqiptar dhe (pa)Siguria Kombëtare

Kalimi i Gruevskit në kufirin shqiptar dhe (pa)Siguria Kombëtare

Dritan Demiraj

 

Kërcënimet e sigurisë përfshijnë jo vetëm armiqtë konvencionalë, siç janë shtetet e tjera, por edhe aktorët e dhunshëm jo shtetërorë të pushtetshëm në mënyrë politike, kriminale, korruptive dhe nacionaliste ekstreme, siç është rasti i ish-Kryeministrit maqedonas dhe kriminelit, tashmë në kërkim ndërkombëtar, Nikola Gruevski.

Albanofobia që ka treguar kjo mbetje sllavo-maqedonase, si pasardhës i organizatës “Narodna Odbrana”, duke ndjekur dhe masakruar qindra patriotë e luftëtarë shqiptarë, duke shkelur disa marrëveshje të imponuara dhe firmosura nga ndërkombëtarët në lidhje me të drejtat e shqiptarëve në Maqedoni, është e njohur.

Të gjitha këto krime nuk i bëri i vetëm, por në bashkëpunim me Sasha Miallkovin dhe Gordana Jankullovsken,  me strukturat e tyre të errëta antishqiptare dhe, fatkeqësisht, edhe me elementë “b@#*lëpirës” e intrigantë matrapazë shqiptarë brenda dhe jashtë territorit të Maqedonisë.

Fatkeqësisht, dje nga Departamenti i Kufirit dhe Migracionit në Policinë e Shtetit, u raportua se Nikola Gruevski kishte kaluar në Shqipëri në pikën doganore të Hanit të Hotit në datën 11.11.2018, rreth orës 19:11, si pasagjer në automjetin me targë CD1013A, në pronësi të Ambasadës Hungareze në Tiranë.

Koncepti i sigurisë dhe i ruajtjes së integritetit territorial dhe sovranitetit të një shteti kërkon bashkëpunim institucional, infrastrukturë të mbrojtjes së kufijve tokësorë e detarë, të shërbimeve të inteligjencës (Kundërzbulimit, SHIK-ut dhe të Policisë kriminale), shërbimeve doganore, etj.

Çfarë kanë bërë të gjitha këto struktura shtetërore ndërkohë që taksapaguesit shqiptarë paguajnë dhe u besojnë këtyre institucioneve të sigurisë dhe personelit të tyre, me rastin e hyrjes në mënyrë të paligjshme të njërit nga njerëzit më antishqiptarë të viteve të fundit, pas vdekjes së Milosheviçit?

Nëse propogandojmë që kontrollojmë kufirin dhe territorin e vendit, si ka mundësi që hyn një person i tillë dhe të gjitha institucionet e sigurisë flenë gjumë?!

Si mund të justifikohet Policia, me deklaratën e saj të papërgjegjshme dhe aspak profesionale, që shtetasi Gruevski ka dalë nga pika doganore me makinë diplomatike dhe autoritetet doganore dhe policore nuk mund ta ndalonin?!

Në cilin vend të botës ndodh kjo?! Nuk mund të justifikoheni që personi në fjalë nuk ka qenë në kërkim ndërkombëtar. Si ka mundësi të kalojë kufirin një person që nuk ka pasaportë, pasi të gjitha dokumentat e indentifikimit te kriminelit Gruevski i janë sekuestruar me kohë nga shteti maqedonas?

Me çfarë dokumentash është indentifikuar, pasi për të gjithë shtetasit, shqiptarë apo të huaj, përfshi dhe ata me status diplomatik në pikat doganore bëhet identifikimi përkatës. Sipas kësaj logjike, në Shqipëri mund të hyjë kushdo, qoftë dhe një nga terroristët e rrezikshëm dhe askush nuk di asgjë dhe nuk mban përgjegjësi!

Si ka mundësi që shërbimet e inteligjencës nuk kanë informacione mbi statusin e Gruevskit, ku çdo qytetar në Maqedoni apo në Shqipëri e di se ai është dënuar dhe lëvizjet e tij ishin të monitoruara nga strukturat maqedonase, ndërkohë që shërbimet tona nuk dinin asgjë.

Ky është një turp i madh për shtetin tonë dhe strukturat tona të sigurisë dhe kjo qeveri do të ngelet në memorien e Shqiptarëve si qeveri e bashkëpunimit me krimin dhe si antishqiptare.

Gruevski duhej ndaluar, por siç duket ndonjë telefonatë mund t'ja ketë hapur rrugën, ashtu si në shumë raste i është hapur edhe trafikantëve të drogës dhe personave në kërkim ndërkombëtar. Apo doni të justifikoheni se nuk kemi Ministër të Brendshëm??

Shqipëria dhe shqiptarët janë fqinj të përgjegjshëm dhe bashkëpunues, por fatkeqësisht politikanët e kësaj qeverie duhet të jenë të përgjegjshëm dhe jo të përdorin nacionalizëm me elektoratin vetëm për të marrë votat.

Kur do të bëhemi shtet? Për fat të keq, ne nuk e kemi akoma! Ndërgjegjësohuni të dashur bashkëatdhetarët e mi! Duhet punuar ajo tokë e begatë që na kanë trashëguar të parët tanë,  duke shkulur përfundimisht gjembat dhe barërat e këqija.

Shqipëria u takon vetëm shqiptarëve patriotë dhe të ndershëm!

*Ish-ministër i Brendshëm i Qeverisë Teknike. Kolonel në lirim.

Të fundit