Flash News

KRYESORE

Kthesë në luftën në Siri/ Turqia braktis Rusinë dhe i jep mbështetje sulmeve të SHBA. BE dhe Kanada pro aleatëve

Kthesë në luftën në Siri/ Turqia braktis Rusinë dhe i

Qëndrimi i Turqisë mbi nisjen e sulmeve të SHBA, Britanisë së Madhe dhe Francës në territorin sirian, mund të konsiderohet pikë kthesë në këtë luftë. Ministria e Jashtme e Turqisë ka mbështetur lëshimin e raketave nga tre shtetet Perëndimore, duke e konsideruar “një reagim të duhur”, qëndrim që bie ndesh me linjën e Moskës dhe Teheranit.

“Ne e mirëpresim këtë operacion që ka lehtësuar ndërgjegjen e njerëzimit përballë sulmit në Duma, që dyshohet se është kryer nga regjimi (i Assad). Sulmi me armë të shkatërrimit në masë, duke përfshirë armët kimike, që synojnë pa dallim civilët, përbën krime kundër njerëzimit. Regjimi sirian, i cili ka dhunuar njerëzit e tij për më shumë se 7 vite, me armë konvencionale dhe kimike, ka një histori të provuar të krimeve kundër njerëzimit. Ndërgjegjja e bashkësisë ndërkombëtare nuk ka dyshime për këtë”, thuhet në reagimin e Ministrisë së Jashtme turke.

Me këtë qëndrim, Ankaraja ka braktisur boshtin me Moskën dhe Teheranin që kundërshtonin çdo ndërhyrje të SHBA-së dhe Evropën në konfliktin në Siri.

Presidenti i Këshillit Evropian, Donald Tusk ka mbështetur gjithashtu sulmin me raketa ndaj regjimit të presidentit sirian Bashar Al Assad.

“Sulmet nga SHBA, Franca dhe Britania e Madhe e bëjnë të qartë se regjimi sirian së bashku me Rusinë dhe Iranin nuk mund të vazhdojnë këtë tragjedi njerëzore, të paktën jo pa asnjë çmim. Bashkimi Europian qëndron me aleatët në krah të drejtësisë”, thuhet në reagimin e Tusk.

Edhe Kanadaja ka mbështetur sulmin e tre shteteve Perëndimore mbi Sirinë. Kryeministri kanadez Justin Trudeau ka thënë: “Kanadaja mbështet vendimin e SHBA-së, Britanisë së Madhe dhe Francës për të ndërmarrë veprime për degradimin e aftësisë së regjimit të Assad për të sulmuar me armë kimike popullin e tij. Ne do të vijojmë të punojmë me partnerët tanë ndërkombëtar për të investiguar përdorimin e armëve e kimike në Siri. Përgjegjësit duhet të nxirren përpara drejtësisë.”

Video/ 110 raketa mbi shtetin e tij, Bashar Al Assad e nis me qetësi ditën në Damask

Të fundit