Flash News

KRYESORE

Largimi i Kotzias; çfarë do të ndodhë me marrëveshjen e detit? Takimi i parë Bushati-Tsipras pas tre javësh

Largimi i Kotzias; çfarë do të ndodhë me marrëveshjen

Dorëheqja e Nikos Kotzias si ministër i Jashtëm i Greqisë do të ngrejë shumë pikëpyetje edhe mbi të ardhmen e marrëveshjes së detit me Shqipërinë. Ndonëse të dyja palët deklarojnë se një marrëveshje përfundimtare nuk është arritur, Kotzias dhe ministri i Jashtëm shqiptar, Ditmir Bushati, kanë zhvilluar takime të shpeshta dhe kanë folur për zhvillime pozitive në këtë çështje.

Kryeministri Aleksis Tsipras ka marrë përsipër edhe postin e ministrit të Jashtëm pas largimit të Kotzias, detyrë që do e realizojë deri në përmbushjen e Marrëveshjes së Prespës, sipas njoftimit të qeverisë greke.

Ndërkohë, Ministria e Jashtme e Greqisë ka njoftuar disa ditë më parë për takimin që është planifikuar të zhvillohet në Selanik, më 8 dhe 9 nëntor, midis ministrave të Jashtëm të Greqisë, Shqipërisë, Maqedonisë dhe Bullgarisë.

Nëse agjenda do të vijojë të mbetet e njëjtë, ministri Bushati do të zhvillojë takimin e parë me Tsipras pas tre javësh, ku marrëveshja e detit pritet të jetë temë kryesore e diskutimeve.

Qëndrimet e Aleksis Tsipras për këtë çështje nuk janë shumë të qarta pasi përgjatë këtyre tre viteve ka qenë Nikos Kotzias që ka drejtuar negociatat dhe ka mbajtur qëndrimet në emër të qeverisë greke.

Të fundit