Flash News

KRYESORE

“Sot jemi mbledhur për një vendim të madh”, Basha tregon se çfarë do bëjnë mbështetësit e opozitës

“Sot jemi mbledhur për një vendim të madh”, Basha

Sot jemi mbledhur për një vendim të madh. Vendimin për t’i thënë lamtumirë Republikës së vjetër. Kështu u shpreh kreu i opozitës, Lulzim Basha përpara mijëra protestueve në bulevardin kryesor të Tiranës.

Basha theksoi se organizimi i sotëm është referendum për republikën e re, ndërsa republikën e vjetër e konsideroi objekt të Muzeut Kombëtar. Ai tha se qytetarët nga sot nuk do të njohin më republikën e vjetër për të kërkuar ndryshimin më të madh në 27 vite.

Pjesë nga fjala e Bashës:

Kjo nuk është protestë, ky nuk është manifestim, ky është referendumi i qytetarëve për republikën e re. Sot jeni mbi 600 mijë shqiptarë në këtë shesh dhe miliona të tjerë bashkë me ne në këtë referendum historik. Me 18 shkurt, tre muaj më parë u bashkuam në këtë shesh për t’i thënë ndal keq qeverisjes, ndal krimit dhe për të kërkuar zgjedhje të lira.

U bashkuan në këtë shesh për 85 ditë shqiptarë nga e gjithë Shqipëria, intelektualë, profesorë, artistë, sportistë, studentë, fermerë, punëdhënës dhe punëmarrës, miq nga e gjithë bota që na qëndrojnë në krah për demokraci të vërtetë.

Ajo që nisi si rruga e bashkimit, i vemit shteg për miliona shqiptarë të shtypur, të nëpërkëmbur, të mashtruar. Ajo u kthye në motorrin më të fuqishëm të shpresës, që vrau frikën anë e mbanë vendit, që ngjalli kurajon në zemrën e çdo shqiptari, që mbushi çdo qytetar me frymën për një të nesërme më të mirë.

Ky nuk është vetëm bashkim kundër keqqeverisjes, kjo është shpallja e shpresës dhe besimit te vetja juaj, te familjarët tuaj dhe të gjithë së bashku te Shqipëria jonë. Këtu keni ardhur sepse besoni te Republika e Re. Arritja më e madhe këtyre 3 muaj qëndresë është ripërtëritja e besimit të çdo shqiptari te vetja e vet.

E nismë për një objektiv, zgjedhje të lira e të ndershme, por sot jemi këtu për shumë e shumë. Nuk jemi mbledhur për një ndryshim të vetëm, por për ndryshimin më të madh në 27 vite. Gjithçka duhet të ndryshojë dhe falë bashkimit tonë, falë qëndresës tuaj, me ndihmën e zotit gjithçka do të ndryshojë, asgjë nuk do të jetë më si më parë.

Republika e vjetër sot shpallet objekt i arkivit të muzeut historik  kombëtar. Ne shqiptarët nuk do e njohim më republikën e vjetër të krimit dhe drogës.

E si mund të pranojnë më shqiptarët një shtet ku 18 vjeçari shtyhet drejt vetëvrasjes në qelitë e burgut për një cigare hashash dhe trafikanët bëhen deputetë, kryetarë bashkisë, ministra, drekojnë me të parin e qeverisë dhe mbushin valixhet.

Sot jemi mbledhur për një vendim të madh. Vendimin për t’i thënë lamtumirë republikës së vjetër. Komplotit politik dhe ekonomik kundër xhepave të shqiptarëve. Ne jemi këtu që përmes republikës së re t’ju kthejmë shqiptarëve atë që është e shqiptarëve.

Kombi do të bashkohet në parlamentin e ri të republikës së re. Të gjitha këto janë të realizueshme nëse kuçedra e republikës së vjetër largohet nga burimi i resurseve të shqiptarëve. Të gjitha këto janë të mundshme vetëm nëse e presim njëherë e përgjithmonë lidhjen e krimit me politikën.

 

Të fundit