Flash News

Ditari i Maxhorancës

Ç'ndodh nëse Veliaj e kundërshton shkarkimin, të njëjtën rrugë që ndoqi edhe Shukri Xhelili

Ç'ndodh nëse Veliaj e kundërshton shkarkimin, të

Këshilli Bashkiak i Tiranës ka votuar pasditen e sotme për të shkarkuar nga detyra kryebashkiakun Erion Veliaj me 51 vota pro, i cili ndodhet në qeli prej muajit shkurt.

Këshilli Bashkiak mblodhi tre kërkesat për shkarkimin e Veliajt, atë të Partisë Socialiste, të Partisë Demokratike dhe të këshilltarit Endri Shabani, duke i votuar si një e vetme.

Vetë Veliaj nuk ishte i pranishëm në mbledhje, pasi Komisioni i Ligjeve ia rrëzoi kërkesën për të marrë pjesë. Sakaq, tashmë i takon Këshillit të Ministrave që të miratojë vendimin për shkarkimin e Veliajt nga posti i Kryetarit të Bashkisë Tiranë.

Por, çfarë ndodh nëse Veliaj e kundërshton shkarkimin nga qelia e paraburgimit?

Nëse Këshilli i Ministrave miraton shkarkimin e Erion Veliajt, ai ka të drejtën ligjore ta ankimojë vendimin në Gjykatën Kushtetuese.

Kjo është një e drejtë e garantuar për çdo zyrtar të zgjedhur vendor, në përputhje me Ligjin Nr. 139/2015 “Për vetëqeverisjen vendore”.

Sipas këtij neni, kryetari i bashkisë shkarkohet me vendim të Këshillit të Ministrave në këto raste:

a) Kryen shkelje të rënda të Kushtetutës ose të ligjeve;
b) Dënohet për kryerjen e një vepre penale, me vendim të formës së prerë nga gjykata;
c) Propozohet për shkarkim nga Këshilli Bashkiak për mosparaqitje në detyrë për një periudhë 3-mujore të pandërprerë.

Kjo pikë e fundit është ajo që i referohet rastit të Veliajt, i cili sipas vendimit të Këshillit Bashkiak, ka munguar në detyrë për më shumë se tre muaj.

Procesi i ankimimit mund të nisë brenda 15 ditëve nga marrja e vendimit, dhe përfshin shqyrtimin e ligjshmërisë së shkarkimit, respektimin e procedurës, si dhe të drejtën për një proces të rregullt.

Një precedent i njohur është rasti i Shukri Xhelilit, ish-kryetar i Bashkisë Dibër, i cili e kundërshtoi shkarkimin në Gjykatën Kushtetuese pas publikimit të një videoje -skandali.

Megjithatë, gjykata e rrëzoi kërkesën, duke e cilësuar shkarkimin e tij si të bazuar në shkelje të rënda të etikës dhe ligjit.

Në rastin e Veliajt, nëse ai vendos të ndjekë rrugën e ankimimit, procesi mund të zgjasë disa muaj dhe të shtyjë zyrtarizimin e shkarkimit deri në një verdikt definitifv./ S.GJ/

 

Të fundit