Flash News

E SHPJEGUAR

Veliaj ankimon shkarkimin në ‘Kushtetuese’, ngërçi që krijon për zgjedhjet e parakohshme

Veliaj ankimon shkarkimin në ‘Kushtetuese’, ngërçi

Erion Veliaj zgjodhi këtë të hënë për të kundërshtuar vendimin për shkarkimin e tij nga posti i kryetarit të bashkisë së Tiranës, shkarkim i cili erdhi fillimisht nga Këshilli Bashkiak më 23 shtator dhe një ditë më vonë u zyrtarizua edhe me Vendim të Këshillit të Ministrave, e pasuar më vonë edhe në Fletoren Zyrtare.

Në kërkesën e depozituar nga avokatët e tij mbrojtës më Gjykatë Kushtetuese, theksohet se shkarkimi i tij është i paligjshëm dhe antikushtetues. 

Në kërksën e Veliajt janë renditur 15 argumente të ndryshme që kundërshtojnë shkarkimin e tij nga detyra. Sipas Veliajt, neni 62 i ligjit për qeverisjen vendore nuk mund të zëvendësojë nenin 115 të Kushtetutës, por duhet interpretuar gjithmonë në përputhje me të. Në këtë nen thuhet se çdo shkarkim pa një shkelje të rëndë të provuar është i paligjshëm dhe bie ndesh me parimet kushtetuese.

Por, çfarë ndodh tani pas kundërshtimit të Veliajt dhe drejtimit të tij në Gjykatën Kushtetuese përmes mbrojtjes së tij.

Juristët kanë paralajmëruar se ky vendim i Veliajt tashmë krijon një ngërç të ri duke krijuar një barrier ligjore për zgjedhjet e parakohshme për bashkinë e Tiranës.

Juristi Ylli Manjani deklaroi disa ditë më parë në Euroneës Albania se Bashkitë do të shkojnë tashmë në zgjedhje vetëm pasi të ketë përfunduar gjykimi në Kushtetuese dhe nëse ajo do ta gjejë të drejtë vendimin e qeverisë. Por, kjo mund të zgjasë disa muaj.

“Kryetari i shkarkuar ka të drejtë të ankohet brenda 15 ditësh në Gjykatën Kushtetuese. Gjatë kohës që është nakuar vendimi i Këshillit të Ministrave pezullohet. Pra, nuk ka vendim shkarkimi.

Nëse zgjidhja është pa konsensusin e Veliajt do ta sforcojë në kohë zgjedhjen e kreut të ri të bashkisë në Tiranë. Kjo është procedura ligjore.

Nuk është e thjeshtë ligjerisht për të shkuar në zgjedhje me bashkitë e tjera, do shkojë në zgjedhje por pasi të ketë përfunduar gjykimi në Kushtetuese dhe nëse ajo do ta gjejë të drejtë vendimin e qeverisë”, ka deklaruar Manjani.

Kujtojmë se vendimi për shkarkimin e Veliajt erdhi pak javë pas kërkesës së kryesocialistit Edi Rama në Asamblenë e Partisë Socialiste, takim ku ai shpalli si kandidaturë të PS, Ogerta Manastirliun.

Nga ana tjetër, opozita nuk ka shpallur ende kandidaturën e saj dhe aktualisht vijon negociatat për një emër potencial. /S.GJ/

 

 

 

Të fundit