Flash News

E-TJERA

"U nise të pastrosh barkderrat; Të lidhur me krimin", Policia e Shtetit reagon pas deklaratave të deputetëve: Jemi të besueshëm nga partnerët

"U nise të pastrosh barkderrat; Të lidhur me krimin",
Godina e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit

Policia e Shtetit ka reaguar pas deklaratave të disa deputetëve në Kuvend. Deputeti Myslim Murizi i është kthyer ashpër ministrit të Brendshëm, Sandër Lleshaj, ndërsa kundërshtoi ndryshimet në ligjin për "Policinë e Shtetit”. Kjo me argumentin se po preket privatësia e qytetarëve shqiptarë dhe shkelen të drejtat e njeriut.

Ndërkohë deputeti Halit Valteri tha se ndryshimet në ligj u japin kompetenca të tepërta efektivëve, duke theksuar se mes tyre ka edhe efektivë të lidhur me krimin.

Policia e Shtetit ka shprehur indinjatën, ndërsa shton se këto deklarata janë të papranueshme dhe përbaltin padrejtësisht punonjësit e Policisë dhe drejtuesit e saj.

Në reagimin e saj thuhet se, të gjitha strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara maksimalisht për garantimin e rendit dhe sigurisë publike, parandalimin dhe goditjen e krimit në përgjithësi dhe atij të organizuar në veçanti.

Policia e Shtetit ka bërë thirrje që ndalen "sulmet", pasi dëmtojnë reputacionin e organizatës dhe i japin krahë krimit.

"Reagimi i menjëhershëm i strukturave të Policisë ndaj ngjarjeve të fundit kriminale, profesionalizmi i treguar në zbardhjen e shumicës së tyre, si dhe operacionet e shumta të zhvilluara pothuaj çdo javë me partnerët ndërkombëtarë tregojë se Policia e Shtetit është tashmë një organizatë profesionale dhe e besueshme nga partnerët", thuhet ndër të tjera në njoftimin e Policisë.

 

Të fundit