Flash News

E-TJERA

Hetimet për Ballukun nuk mbyllen, SPAK shtyn afatin edhe me 3 muaj

Belinda-Balluku-SPAK.jpg

SPAK ka vendosur të zgjasë me tre muaj të tjerë afatin e hetimeve ndaj ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku, e cila po hetohet për dyshime për korrupsion, pastrim parash dhe shkelje të barazisë në tendera.

Burime pranë Prokurorisë së Posaçme konfirmuan për News24 se ditën e mërkurë janë thirrur në SPAK Erald Elezi, ish-drejtor i KESH, dhe Gentian Gjyli, ish-drejtor i Përgjithshëm i Autoritetit Rrugor Shqiptar, të dy persona të konsideruar të afërt me Ballukun. Sipas të njëjtave burime, atyre pritet t’u komunikohet vendimi për shtyrjen e afatit të hetimeve.

Afati është zgjatur me tre muaj, pasi prokurorët e posaçëm kanë argumentuar se nevojiten veprime të tjera hetimore për zbardhjen e plotë të çështjes, e cila konsiderohet komplekse për shkak të numrit të lartë të tenderave që janë duke u verifikuar.

Balluku është e pandehur nga SPAK për çështjen e tenderit për ndërtimin e tunelit të Llogarasë, ndërsa vijon të jetë nën hetim edhe për procedurat e tenderimit të loteve të Unazës së Madhe të Tiranës.

Ndaj ish-ministres së Infrastrukturës janë ngritur gjithashtu dyshime për korrupsion dhe pastrim parash. Në kuadër të hetimeve, SPAK ka vendosur edhe sekuestrimin e një vile në Dhërmi, për të cilën prokuroria dyshon se lidhet me pasuri të fshehur.

Aktualisht, ndaj Ballukut janë në fuqi dy masa sigurie: ndalimi i daljes jashtë vendit dhe pezullimi nga ushtrimi i funksioneve.

 

Të fundit