Flash News

Bota

OBSH paralajmëron Europën për një tjetër valë të nxehti: Javë më "vdekjeprurëse" përpara

OBSH paralajmëron Europën për një tjetër valë

Europa po përgatitet për një tjetër periudhë me temperatura ekstreme, ndërsa Organizata Botërore e Shëndetësisë ka ngritur alarmin për rrezikun që mund të sjellë vala e re e të nxehtit.

Sipas OBSH-së, temperaturat në disa zona të Europës jugore pritet të arrijnë deri në 43 gradë Celsius, veçanërisht në Portugali dhe Spanjën jugore. Paralajmërimi vjen pas një vale të fortë të nxehti që goditi kontinentin gjatë fundit të muajit qershor.

Drejtori Rajonal i OBSH-së për Europën, Hans Kluge, zhvilloi një takim urgjent me përfaqësues nga 41 vende europiane, Komisionin Europian dhe organizata të shoqërisë civile për të diskutuar masat e marra dhe përgatitjet për temperaturat e ardhshme.

Kluge theksoi se vendet që kishin plane të posaçme për mbrojtjen e shëndetit gjatë periudhave me temperatura të larta reaguan më shpejt dhe arritën të reduktonin rreziqet për qytetarët. Megjithatë, sipas tij, më pak se gjysma e vendeve anëtare europiane të OBSH-së kanë një plan të tillë në fuqi.

Vala e të nxehtit e datave 20-28 qershor konsiderohet nga ekspertët si një nga më të rëndat e regjistruara në Europë, duke shkaktuar probleme në furnizimin me energji, dëmtime në infrastrukturë dhe presion të shtuar mbi sistemet shëndetësore.

Shkencëtarët kanë vlerësuar se temperaturat ekstreme lidhen pothuajse me siguri me ndryshimet klimatike. Në Francë, Holandë dhe Belgjikë janë regjistruar rreth 3,700 vdekje shtesë gjatë kësaj periudhe, ndërsa autoritetet kanë paralajmëruar se bilanci mund të ndryshojë.

OBSH ka bërë thirrje për vëmendje të veçantë ndaj grupeve më të rrezikuara, si të moshuarit që jetojnë vetëm, personat pa strehë dhe banorët e azileve, të cilët sipas Kluge nuk po arrijnë të mbrohen në mënyrë të njëtrajtshme në të gjithë Europën.

Të fundit