Flash News

Bota

Irani dhe Katari rifillojnë tregtinë detare pas pesë muajsh ndërprerje

Irani dhe Katari rifillojnë tregtinë detare pas pesë muajsh

Irani dhe Katari kanë rinisur zyrtarisht transportin detar të mallrave, duke i dhënë fund një ndërprerjeje që zgjati rreth pesë muaj për shkak të konfliktit në Gjirin Persik.

Lajmi është konfirmuar nga atasheu tregtar i Iranit në Doha, i cili bëri të ditur se lundrimet tregtare mes dy vendeve kanë rifilluar pas koordinimit me autoritetet katariote.

Rikthimi i tregtisë detare vjen pas marrëveshjes së përkohshme të arritur muajin e kaluar mes Teheranit dhe Uashingtonit, e cila i dha fund përkohësisht përplasjeve ushtarake dhe hapi rrugën për normalizimin e lëvizjes së mallrave në rajon. Megjithatë, trafiku detar në Gjirin Persik vijon të mbetet i ndjeshëm për shkak të situatës së sigurisë.

Transporti është rikthyer mes portit iranian Dayyer dhe portit Al Ruwais në Katar, dy pika të rëndësishme për tregtinë rajonale. Gjatë konfliktit, porti i Dayyer u godit disa herë, duke sjellë pezullimin e aktivitetit.

Shenja të rikuperimit të shkëmbimeve tregtare ishin shfaqur edhe në fund të qershorit, kur autoritetet iraniane njoftuan se mallrat e eksportit kishin rifilluar të zhdoganoheshin në portin Jebel Ali të Emirateve të Bashkuara Arabe, porti më i madh tregtar në Gjirin Persik.

Rinisja e qarkullimit të mallrave mes Iranit, Katarit dhe vendeve të tjera të rajonit konsiderohet një hap drejt normalizimit ekonomik pas muajve të tensioneve dhe konfliktit ushtarak.

Të fundit