Flash News

Ditari i Maxhorancës

Mes festës dhe protestës për dorëheqje, ditëlindja ndryshe e Edi Ramës

Mes festës dhe protestës për dorëheqje, ditëlindja

Kryeministri Edi Rama feston sot 62-vjetorin e lindjes, në një ditë që përkon edhe me protestën e 35-të masive, ku qytetarë nga Shqipëria dhe diaspora pritet të mblidhen në Tiranë për të kërkuar dorëheqjen e tij.

Ndërsa kryeministri feston ditëlindjen e tij të 62-të, mbrëmjen e sotme, në orën 19:00, është thirrur protesta e 35-të radhazi, me kërkesën kryesore për largimin e tij nga posti i kryeministrit.

Organizatorët kanë njoftuar se protesta do të jetë mbarëkombëtare, ndërsa pritet pjesëmarrja edhe e shqiptarëve të diasporës, të cilët kanë udhëtuar drejt Tiranës për t'iu bashkuar tubimit. Sipas tyre, grumbullimi do të nisë në sheshin "Skënderbej", për të vijuar më pas me marshimin drejt godinës së Kryeministrisë.

Në thirrjen publike për pjesëmarrje, organizatorët kanë theksuar se protestat do të vijojnë deri në dorëheqjen e kryeministrit, ndërsa mesazhi i tyre për protestën e sotme është: "Ju erdhi fundi".

Kështu, 4 korriku për Edi Ramën shënon njëkohësisht ditëlindjen e 62-të dhe një tjetër përballje me protestat që prej më shumë se një muaji kërkojnë largimin e tij nga drejtimi i qeverisë.

Rama, i lindur më 4 korrik 1964 në Tiranë, drejton Partinë Socialiste që prej vitit 2005 dhe qeverinë shqiptare që nga viti 2013. Ai është gjithashtu kryeministri i vetëm në historinë e pluralizmit shqiptar që ka fituar katër mandate radhazi.

Karrierën publike e nisi si Ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve në vitin 1998, ndërsa në vitin 2000 u zgjodh kryetar i Bashkisë së Tiranës, detyrë që e mbajti deri në vitin 2011. Dy vite më vonë, pas fitores së Partisë Socialiste në zgjedhjet parlamentare, mori drejtimin e qeverisë.

Të fundit