Flash News

E-TJERA

Ndërtoi hotel pa leje në Ksamil, dënohet me 2 vite burg 52-vjeçari me shtetësi britanike

Ndërtoi hotel pa leje në Ksamil, dënohet me 2 vite burg

Gjykata e Sarandës ka dënuar me 2 vite burg një 52-vjeçar shqiptar me shtetësi britanike, pasi u shpall fajtor për ndërtimin pa leje të një hoteli në Ksamil.

Vendimi u dha më 24 qershor nga gjyqtari Entiljano Spahiu, në përfundim të një procesi gjyqësor që zgjati rreth tre vjet. Edhe pse çështja u shqyrtua me gjykim të shkurtuar, hetimet u rikthyen për plotësim, duke zgjatur procedurat.

Sipas dosjes, më 16 maj 2023 policia konstatoi se në lagjen nr. 2 të Ksamilit po ndërtohej një objekt pa leje. Punimet kryheshin nga Gazmir Mediu, i cili u arrestua në flagrancë, por më pas u la i lirë me vendim gjykate.

Megjithatë, ekspertiza e kryer rreth një vit e gjysmë më vonë zbuloi se ndërtimi jo vetëm që nuk ishte ndalur, por ishte përfunduar dhe ishte vënë në funksion si hotel. Nga verifikimet e ekspertëve dhe analizimi i imazheve satelitore rezultoi se objekti ishte zgjeruar ndjeshëm, duke kaluar nga një sipërfaqe prej 39 metra katrorë në vitin 2022 në një strukturë të përfunduar dhe funksionale në vitin 2024.

Sipas gjykatës, organizimi i godinës me recepsion, holl pritës, pesë dhoma akomodimi, ambiente ndihmëse dhe parkim, si edhe funksionimi i saj si strukturë hotelerie, provonin se ndërtimi ishte realizuar për qëllime fitimi dhe jo për përdorim familjar.

Për këto arsye, 52-vjeçari u dënua fillimisht me 3 vite burg për veprën penale "Ndërtim i paligjshëm". Për shkak të gjykimit të shkurtuar, dënimi iu ul me një të tretën, duke u caktuar përfundimisht në 2 vite burg.

Vendimi nuk është ende i formës së prerë. Fati i ekzekutimit të dënimit do të varet nga shqyrtimi në Gjykatën e Apelit, pasi i pandehuri është gjykuar deri tani në gjendje të lirë.

Të fundit