Flash News

POLITIKOFF

Vetëm një grusht në ditë, snack-u që ndihmon zemrën dhe zorrët

Vetëm një grusht në ditë, snack-u që ndihmon

Konsumimi i një grushti bajame çdo ditë mund të sjellë përfitime të rëndësishme për organizmin, veçanërisht për personat që vuajnë nga sindroma metabolike. Ky është përfundimi i një studimi të realizuar nga studiues të Universitetit Shtetëror të Oregonit, i cili vlerësoi ndikimin e bajameve në shëndetin kardiometabolik.

Sindroma metabolike është një gjendje që karakterizohet nga prania e disa faktorëve të rrezikut, si dhjami i tepërt në zonën e barkut, tensioni i lartë i gjakut, niveli i lartë i sheqerit në gjak, kolesteroli i ulët HDL dhe trigliceridet e larta. Prania e të paktën tre prej këtyre faktorëve rrit ndjeshëm rrezikun për sëmundje të zemrës dhe diabet të tipit 2.

Për të vlerësuar efektet e bajameve, studiuesit zhvilluan një eksperiment 12-javor me persona të moshës 35 deri në 60 vjeç. Një grup konsumoi çdo ditë rreth 45 bajame, ndërsa grupi tjetër mori një sasi kalorish të ngjashme nga një ushqim krahasues.

Në fund të studimit, pjesëmarrësit që kishin konsumuar bajame shfaqën rritje të nivelit të vitaminës E në organizëm, ulje të kolesterolit total dhe LDL, reduktim të perimetrit të belit, si dhe përmirësim të shëndetit të zorrëve dhe ulje të shenjave të inflamacionit.

Sipas studiuesve, këto përfitime lidhen me përbërjen ushqyese të bajameve. Ato janë të pasura me vitaminë E, yndyrna të pangopura, fibra, magnez, kalium, bakër, biotinë dhe përbërës antioksidues, të cilët kontribuojnë në mbrojtjen e organizmit dhe funksionimin normal të metabolizmit.

Ekspertët theksojnë se, për personat që nuk kanë alergji ndaj frutave të thata, konsumimi i një ose dy grushteve bajame në ditë mund të jetë një zgjedhje e shëndetshme si mesvakt dhe të ndihmojë në mbështetjen e shëndetit të zemrës, përmirësimin e metabolizmit dhe uljen e rrezikut për sëmundje metabolike.

 

Të fundit