Flash News

E-TJERA

Inceneratori i Tiranës/ SPAK çon për gjykim Mërtirin, Zoton dhe 12 të pandehur

Inceneratori i Tiranës/ SPAK çon për gjykim Mërtirin,

Prokuroria e Posaçme ka mbyllur hetimet për një nga dosjet më të bujshme të inceneratorëve dhe ka dërguar për gjykim procedimin penal që lidhet me koncesionin e inceneratorit të Tiranës.

Në bankën e të akuzuarve janë 12 persona fizikë dhe dy persona juridikë, mes tyre Mirel Mërtiri dhe Klodian Zoto, të cilët akuzohen për një sërë veprash penale, përfshirë mashtrim me pasoja të rënda, korrupsion, pastrim parash dhe pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal.

Sipas SPAK, nga hetimet ka rezultuar se gjatë procedurës për dhënien e koncesionit janë konstatuar shkelje të ligjit nga zyrtarë të autoritetit kontraktor, çka solli shpalljen fituese të shoqërisë koncesionare "Integrated Energy BV SPV".

Prokuroria thekson se, ndonëse kompania koncesionare ka përfituar mbi 11.3 miliardë lekë të ardhura deri në vitin 2023, investimet për ndërtimin e objektit kanë qenë vetëm rreth 21 milionë euro, shumë më të ulëta se sa parashikohej në kontratë.

Sipas organit të akuzës, Mirel Mërtiri dhe Klodian Zoto, të cilët konsiderohen pronarët "de facto" të kompanisë, kanë përfituar në mënyrë të paligjshme shuma të konsiderueshme, duke përdorur fatura fiktive, kompani fantazmë brenda dhe jashtë vendit, si dhe transferta cash. SPAK llogarit se përmes kësaj skeme janë nxjerrë rreth 1.28 miliardë lekë dhe 16.6 milionë euro.

Hetimet kanë evidentuar gjithashtu se skema e pastrimit të parave është realizuar në bashkëpunim me persona të tjerë shqiptarë dhe të huaj, të cilët akuzohen se kanë vepruar si pjesë e një grupi të strukturuar kriminal.

SPAK kujton se për pjesë të tjera të kësaj dosjeje janë gjykuar më herët me vendime të formës së prerë ish-ministri Lefter Koka, ish-sekretari i Ministrisë së Mjedisit Alqi Bllako dhe disa ish-zyrtarë të tjerë, ndërsa hetimet vijojnë në një procedim të ndarë për të identifikuar përgjegjësi të tjera penale.

Të fundit