E-TJERA

Aksidenti fatal në autostradën Durrës-Tiranë, protestuesit mbajnë 1 minutë heshtje

Aksidenti fatal në autostradën Durrës-Tiranë, protestuesit

Gjatë protestës së zhvilluar këtë të martë para Kryeministrisë, pjesëmarrësit ndalën për një minutë heshtje në nderim të katër personave që humbën jetën në aksidentin tragjik në autostradën Durrës-Tiranë, ku mbetën të plagosur edhe 12 të tjerë.

Nisma u propozua nga aktivistja Luçiana Kokaj, e cila përpara të pranishmëve, lidhi ngjarjen me mënyrën se si Policia e Shtetit kishte shpërndarë forcat gjatë ditës.

Kokaj akuzoi Policinë se gjatë ditës ishte përqendruar në ndërhyrjen ndaj protestuesve pranë Parlamentit.

“Sot ndërkohë që Policia e Shtetit ishte shumë e zënë duke tërhequr zvarrë protestuesit para Parlamentit dhe një pjesë tjetër e Policisë ishte stacionuar në Rrjoll ku po bënte rojën private të Bashkim Ulajt për të vjedhur pronën tonë, kemi pasur një fatkeqësi shumë të madhe në vendin tonë. Një fatkeqësi që edhe mund të ishte evituar nëse Policia do të ishte duke bërë punën e vetë. Kanë humbur jetën 4 qytetarë në autostradën Tiranë-Durrës. Ndaj në shenjë respekti, do ju kërkoja që të mbanim 1 minutë heshtje. Tani ne vazhdojmë me kërkesat tona që janë:

Dorëheqja e Ramës, e qeverisë dhe e kësaj klase politike. Një thirrje do të kisha për gjithë deputetët e opozitës, që thonë se mbështesin protestën. ‘Ku ishit sot kur u shoqëruan protestuesit? Pse nuk e ngritën zërin në Parlament, por ikët ashtu si ikni gjithmonë?’. Sot Policia u bë palë me krimin, duke na tërhequr zvarrë ne”, tha mes të tjerash Kokaj.

Të fundit