Flash News

E-TJERA

Autonomia spitalore pa rezultate: Mungesë aksesi dhe shërbime të mbingarkuara

Autonomia spitalore pa rezultate: Mungesë aksesi dhe shërbime të

Reforma që synonte t’u jepte spitaleve publike më shumë autonomi, efikasitet dhe përgjegjësi, katër vite pas nisjes së saj, ende nuk është përkthyer në përmirësim të matshëm për cilësinë e shërbimit ndaj pacientëve.

Një monitorim i organizatës Together for Life (TFL) ka gjetur se hendeku mes objektivave të reformës dhe zbatimit të saj mbetet i konsiderueshëm.

Autonomia spitalore u prezantua si një nga reformat më të rëndësishme në qeverisjen e sistemit publik shëndetësor në Shqipëri. Logjika ishte që spitalet publike, duke fituar më shumë hapësirë në menaxhimin financiar dhe administrativ, do të ishin në gjendje të organizonin më mirë burimet, të përmirësonin cilësinë e shërbimeve dhe të reduktonin varësinë nga vendimmarrja qendrore.

Por sipas raportit të monitorimit të publikuar, ky tranzicion mbetet ende i papërfunduar. Analiza, e bazuar në monitorimin e QSUNT-së, Spitalit Memorial Fier dhe spitaleve rajonale të Durrësit, Vlorës, Shkodrës dhe Lezhës, arrin në përfundimin se ngritja e strukturave të reja nuk është shoqëruar ende me rezultate të matshme në funksionimin e sistemit apo në përvojën e pacientëve.

Në thelb, raporti ngre një pyetje që shkon përtej organizimit administrativ të spitaleve: si matet suksesi i një reforme shëndetësore? Nëse objektivi është përmirësimi i kujdesit, atëherë kriteret nuk janë numri i strukturave të ngritura apo aktet ligjore të miratuara, por koha e pritjes, aksesi në shërbime, cilësia e trajtimit, përdorimi më efikas i fondeve publike dhe përvoja e pacientit.

Nga ky këndvështrim, monitorimi sugjeron se reforma ka avancuar më shpejt në ndërtimin e arkitekturës institucionale sesa në prodhimin e rezultateve konkrete.

Një nga objektivat kryesore të autonomisë ishte fuqizimi i spitaleve rajonale, në mënyrë që ato të ofronin më shumë shërbime pranë vendbanimit të pacientëve dhe të reduktonin varësinë nga Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza”. Katër vite më vonë, ky objektiv mbetet ende i paarritur.

QSUNT vazhdon të përballojë pjesën më të madhe të shërbimeve të specializuara, ndërsa spitalet rajonale nuk kanë arritur të rrisin kapacitetet në masën që ishte parashikuar. Si pasojë, presioni mbi spitalin universitar mbetet i lartë, me pasoja që shtrihen nga ngarkesa mbi personelin deri te organizimi i shërbimeve dhe koha e pritjes për pacientët.

Në këtë kuptim, autonomia nuk vlerësohet nga kompetencat që u janë transferuar institucioneve, por nga aftësia e tyre për t’i përdorur ato për të përmirësuar aksesin në shërbime. Sipas raportit, ky ndryshim nuk është bërë ende i dukshëm.

Një tjetër komponent kyç i reformës ishte autonomia financiare. Ideja ishte që spitalet të kishin më shumë mundësi të gjeneronin të ardhura dhe t’i riinvestonin ato në përmirësimin e shërbimeve. Megjithatë, raporti konstaton se instrumenti kryesor në këtë drejtim—praktika e dyfishtë, mbetet ende larg pritshmërive.

Spitali Memorial Fier paraqitet si institucioni më i përparuar në zbatimin e këtij mekanizmi dhe në monitorimin e kënaqësisë së pacientëve. Megjithatë, edhe aty nuk evidentohet ende një ndikim i matshëm në rritjen e të ardhurave apo në performancën organizative të spitalit. Në institucionet e tjera, praktika zbatohet në mënyrë të kufizuar, për shkak të tarifave jo konkurruese, kërkesës së ulët dhe mungesës së stimujve ekonomikë.

Një nga gjetjet më domethënëse të raportit lidhet pikërisht me mungesën e evidencave.

Drejtoresha Ekzekutive e Together for Life, Eglantina Bardhi, deklaroi gjatë prezantimit të raportit se “Monitorimi tregon se deri më sot mungojnë evidenca të mjaftueshme që të dëshmojnë një ndikim të drejtpërdrejtë dhe të matshëm të reformës në përvojën e pacientit, në cilësinë e kujdesit dhe në rezultatet shëndetësore.”

Edhe Ministria e Shëndetësisë pranon se disa elementë të reformës ndodhen ende në zhvillim.

Drejtoresha e Politikave Spitalore, Flutura Beqo, e cilësoi praktikën e dyfishtë si një mekanizëm ende në “fazë foshnjërake”, ndërsa tha se po punohet për kostifikimin e shërbimeve dhe krijimin e instrumenteve që do të mbështesin autonominë financiare dhe menaxheriale të spitaleve.

Ky qëndrim lë të kuptohet se vetë institucionet përgjegjëse e konsiderojnë reformën ende të papërfunduar.

Megjithatë, katër vite pas nisjes së saj, pritshmëria nuk lidhet më me ngritjen e strukturave apo hartimin e procedurave të reja. Në këtë fazë, reforma pritet të prodhojë rezultate të matshme.

Raporti ngre kështu një çështje më të gjerë mbi mënyrën se si vlerësohen reformat publike në Shqipëri. Ndryshimet institucionale shpesh maten përmes akteve ligjore, strukturave të ngritura apo modeleve të reja organizative.

Në shëndetësi, megjithatë, suksesi përcaktohet nga tregues të tjerë: nëse pacientët marrin shërbim më shpejt, nëse spitalet funksionojnë më mirë dhe nëse fondet publike përdoren më me efikasitet. Pa indikatorë të qartë dhe pa rezultate të matshme, bëhet e vështirë të vlerësohet nëse autonomia ka ndryshuar realisht mënyrën se si funksionon sistemi.

Katër vite pas nisjes së reformës, autonomia spitalore mbetet një projekt në tranzicion. Kuadri institucional është ndërtuar dhe objektivat janë përcaktuar, por sipas monitorimit të Together for Life, rezultatet që do të justifikonin reformën nuk janë ende të dukshme.

Sfida për institucionet përgjegjëse nuk është më të argumentojnë nevojën për autonomi, por të demonstrojnë, përmes të dhënave dhe performancës, se ajo po përmirëson funksionimin e spitaleve dhe cilësinë e kujdesit që marrin pacientët./ acqj.al

Të fundit