Flash News

E-TJERA

Mbetjet bujqësore, potencial i pashfrytëzuar për ekonominë qarkulluese në Shqipëri

Mbetjet bujqësore, potencial i pashfrytëzuar për ekonominë

Shqipëria ka ende hapësirë të madhe për të kthyer mbetjet bujqësore në burim ekonomik, përmes bioenergjisë, materialeve të riciklueshme dhe produkteve të reja për industrinë.

Raporti i Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal “Për potencialin e teknologjive të avancuara dhe të gjelbra në Ballkanin Perëndimor” vlerëson se ekonomia qarkulluese mund të jetë një nga fushat ku Shqipëria ka mundësi të ketë përparësi, sidomos duke shfrytëzuar mbetjet nga bujqësia dhe agroindustria.

Raporti përmend si shembuj bërthamat e ullirit dhe mbetjet e frutave, të cilat mund të përdoren për prodhim bioenergjie ose materialesh. Disa biznese të vogla në vend kanë nisur tashmë të prodhojnë briketa biomase nga mbetjet bujqësore, duke treguar se modeli i ekonomisë qarkulluese nuk është vetëm koncept mjedisor, por mund të kthehet edhe në aktivitet ekonomik.

Ky potencial është i rëndësishëm për Shqipërinë, ku bujqësia dhe agro-përpunimi mbeten sektorë të rëndësishëm të ekonomisë. Në vend që mbetjet organike të hidhen, digjen ose të mbeten pa përdorim, ato mund të kthehen në lëndë të parë për energji, paketim, materiale dytësore ose produkte me vlerë të shtuar.

Sipas raportit, Shqipëria ka pasur probleme serioze me menaxhimin e mbetjeve, përfshirë venddepozitimet e hapura, por vitet e fundit po shfaqen nisma për qendra riciklimi dhe ndarje të mbetjeve industriale. Në Tiranë ka tashmë kompani që riciklojnë letër, plastikë dhe goma të përdorura, duke i kthyer në materiale dytësore. Disa prej këtyre iniciativave janë zhvilluar edhe në partneritet me kompani italiane.

Në këtë kontekst, ekonomia qarkulluese mund të ndihmojë Shqipërinë të ulë varësinë nga lëndët e para të importuara dhe të krijojë zinxhirë më të qëndrueshëm prodhimi. Për sektorët që eksportojnë drejt Bashkimit Europian, si tekstilet, këpucët, agro-përpunimi dhe materialet e ndërtimit, përdorimi i materialeve të ricikluara dhe standardeve mjedisore mund të kthehet në faktor konkurrues.

Raporti thekson se Shqipëria po përpiqet të përfshijë parimet e ekonomisë qarkulluese në politikat mjedisore. Vendi ka përditësuar ligjin për mbrojtjen e mjedisit për të integruar këto parime dhe është duke zhvilluar strategjinë për ekonominë qarkulluese. Po ashtu, Shqipëria është pjesë e nismave rajonale EU4Green, të cilat mbështesin ripyllëzimin, bujqësinë e qëndrueshme dhe përdorimin e pompave diellore për fermat.

Po kështu, zhvillim i rëndësishëm është pilotimi i konceptit të parqeve eko-industriale me mbështetjen e UNDP-së. Ideja është që kompanitë brenda një zone industriale të ndajnë burime të përbashkëta, si impiant për trajtimin e ujërave të ndotura apo instalime diellore për bizneset që operojnë në park. Një model i tillë mund të ulë kostot, të zvogëlojë ndotjen dhe të nxisë përdorimin më efikas të burimeve.

Në hartën rajonale të teknologjive të gjelbra, TechSpace Tirana përmendet si një nga qendrat që mbështet dizajnin qarkullues të produkteve dhe prototipimin e produkteve miqësore me mjedisin. Ndërkohë, Oficina Accelerator përmendet si aktor që mbështet eko-bizneset. Këto qendra mund të ndihmojnë që ekonomia qarkulluese të mos mbetet vetëm te riciklimi tradicional, por të lidhet me dizajnin e produkteve, paketimin e qëndrueshëm dhe teknologjitë e reja.

Në këtë fushë përmenden nisma për paketim të qëndrueshëm, përfshirë BioPack Balkans në Shqipëri, që po sjell zgjidhje për paketim me bazë bioplastike dhe fibra bimore. Kjo risi është e rëndësishme për një vend me sektor bujqësor dhe agropërpunues, ku paketimi i qëndrueshëm mund të rrisë vlerën e produkteve dhe të ndihmojë eksportet drejt tregjeve që kërkojnë standarde më të larta mjedisore.

Megjithatë, sfida mbetet e madhe. Ekonomia qarkulluese në Shqipëri është ende në fazë të hershme dhe mbështetet kryesisht te nisma të veçuara, projekte donatorësh dhe biznese të vogla. Për ta kthyer këtë potencial në industri, vendit i duhen më shumë investime, teknologji për përpunimin e mbetjeve, standarde të qarta për ndarjen në burim dhe lidhje më të forta mes fermerëve, përpunuesve, ricikluesve dhe industrisë.

Raporti thekson se mbetjet bujqësore mund të jenë një nga asetet më të nënvlerësuara të Shqipërisë në tranzicionin e gjelbër. Nëse bërthamat e ullirit, mbetjet e frutave, plastika, letra apo goma të përdorura kthehen në energji, materiale dhe produkte të reja, ekonomia qarkulluese mund të krijojë vlerë shtesë për bizneset, të ulë ndotjen dhe të ndihmojë Shqipërinë të përafrohet më shpejt me standardet mjedisore të Bashkimit Evropian./ekofin.al

Të fundit