Flash News

Ditari i Opozitës

Berisha: Jam kundër kullave, nuk kam firmosur asnjë kur isha kryeministër

Berisha: Jam kundër kullave, nuk kam firmosur asnjë kur isha

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka deklaruar se është në mënyrë kategorike kundër ndërtimit të kullave në Shqipëri, duke theksuar se gjatë kohës kur ka qenë kryeministër nuk ka firmosur asnjë leje për ndërtime të tilla dhe se nuk do të firmosë asnjëherë në të ardhmen.

Gjatë një bashkëbisedimi me qytetarët në rrjetet sociale, Berisha u pyet mbi fenomenin e kullave dhe pretendimet për lidhjen e tyre me pastrimin e parave, ndërsa ai përsëriti akuzat ndaj qeverisë së Edi Ramës, duke e lidhur zhvillimin e këtij sektori me, sipas tij, interesa korruptive dhe kriminale.

Berisha akuzoi kryeministrin se ka favorizuar ndërtimet e larta për përfitime ekonomike dhe pastrim parash, ndërsa theksoi se qëndrimi i tij mbetet i pandryshuar kundër çdo projekti kullash në vend.

Sali Berisha: Faleminderit për pyetjen. Lidhur me kullat, cili ka qenë qëndrimi i qeverisë së PD? Asnjë kullë në asnjë qytet në asnjë vend në Shqipëri.
Kulla ka malet Shqipëria. Nuk ka nevojë për kulla.
Plani i përgjithshëm rregullues i Tiranës, i miratuar nga qeveria shqiptare në vitin 2011, nuk lejonte në Tiranë ndërtime maksimumi 8 kate. Dhe ato të rralla.
Edi Rama, i cili sipas raportit të OSBE erdhi në pushtet me 200 milionë euro të depozituara në banka offshore, të gjitha gjoba ndërtimesh, u kthye tek kullat pasi aty ai nxjerr fitime përrallore dhe lan paratë e klaneve kriminale që ai drejton, karteleve të drogës.
Më hipokritja, më e ulëta ishte kur megjithëse unë i kam shpallur kullat si monumente të shëmtuara të korrupsionit dhe drogës, si kundërpërgjigje u gjetën opozitarë të opozitës dhe puthadorë të Edi Ramës, ta përlyejnë Sali Berishën dhe të thonë se djali i tij ishte aksioner tek Mali i Tiranës.
Ja tani që na erdhi dosja e Arubës dhe që e ka në dorë Altin Troplini, këta hipokritë për të justifikuar Edi Ramën, për ta lehtësuar Edi Ramën, zgjodhën një shpifje ndër më të ulëtat, ndër më bajatet.
Dëgjoj çakej pa asnjë lloj morali se në këtë kullë dhe në atë kullë, se Berisha nuk flet këtu, nuk flet aty.
Sali Berisha është në mënyrë kategorike kundër kullave. Në mënyrë të prerë!
Sa ka qenë kryeministër nuk ka firmosur asnjë dhe nuk do firmosë ndonjëherë asnjë.
Ky është qëndrimi.
Edi Rama është për kulla sepse lahet tonelatat e drogës dhe vetë fiton kate të tëra.
Në qoftë se Lubia ka të numëruara 320 apartamente, apartamentet e Edi Ramës mund të jenë mijëra e mijëra.

Të fundit