Flash News

Ditari i Opozitës

PD çon protestën në Kuvend: Katër kërkesa dhe mocion për debat në ditën e 26-të të protestave

PD çon protestën në Kuvend: Katër kërkesa dhe mocion

Në ditën e 26-të të protestave masive që po zhvillohen para Kryeministrisë, opozita ka ndërmarrë një hap institucional duke depozituar në Kuvend katër kërkesa urgjente dhe një mocion për debat. Lëvizja vjen si përpjekje për të kanalizuar në sallën parlamentare shqetësimet e qytetarëve që prej javësh protestojnë në shesh.

Deputeti i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, në një interviste për Ora News , u shpreh se nismat e depozituara lidhen me çështje që opozita i konsideron problematike dhe me ndikim të drejtpërdrejtë në interesin publik. Sipas tij, ato pasqyrojnë edhe kërkesat e protestuesve që vijojnë tubimet e përditshme para zyrës së kryeministrit.

Ndër kërkesat kryesore përfshihen shfuqizimi i ligjit për investitorët strategjikë, rishikimi i ligjit për zonat e mbrojtura, si dhe rikthimi në debat i ligjit për trashëgiminë kulturore dhe të ashtuquajturës “paketa e maleve”. Opozita i cilëson këto nisma si të diskutueshme dhe të lidhura me interesa politike të mazhorancës.

Këlliçi theksoi se qëllimi nuk është përfaqësimi formal i protestës, por reflektimi institucional ndaj shqetësimeve të qytetarëve. Ai shtoi se këto çështje duhet të debatohen në Kuvend, si pjesë e funksionimit normal të demokracisë parlamentare.

Sipas tij, kërkesat e depozituara prej dy javësh në Kuvend synojnë të hapin një debat të gjerë politik mbi çështjet që opozita i konsideron thelbësore për vendin, përfshirë edhe kërkesën për largimin e qeverisë Rama.

"Ne, duke dëgjuar kërkesat e protestuesve që tashmë kanë hyrë në ditën e 26, duke reflektuar shqetësimet e qytetarëve, pjesës dërrmuese të shoqërisë shqiptare që mbështesin protestën, por dhe të atyre qindra mijëra protestuesve që kanë mbi tre javë që protestojnë çdo ditë para zyrës së kryeministrit, dy javë më parë kemi depozituar në kuvend katër kërkesa, pra edhe mocionin për debat, që janë në sintoni të plotë me kërkesat e protestuesve dhe kjo nuk na bën zëdhënës të protestës, por sigurisht jetojmë me shqetësimet e qytetarëve shqiptarë.

Mendojmë që në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, në sallën e parlamentit do të duhet të debatohet, do të duhet të diskutohet për çështje që kanë të bëjnë me ndjeshmërinë e ditës, me problemet e qytetarëve, me shqetësimet e qytetarëve shqiptarë dhe sigurisht çështje që ne i kemi veçuar në fakt dhe i kemi dhe kauzat tona, siç është çështja për shfuqizimin e ligjit për investitorët strategjikë, apo ligji për amendimin e zonave të mbrojtura, që hapi rrugën për shkatërrimin e zonave të mbrojtura dhe ndërtimin në këto zona, të cilin prej dy vitesh e kemi debatuar fort, e kemi çuar dhe në gjykatë kushtetuese, apo ligjin për trashëgiminë kulturore, apo paketën e maleve që e kemi votuar kundër dhe kemi debatuar me arsyetimin tonë dhe me logjikën tonë dhe në sallën e kuvendit, se përse kjo është një nismë kryesisht personale dhe korruptive dhe politike e Edi Ramës. Këto katër qëndrime shoqëruar këtu me të pestën që është largimi i qeverisë Rama.

Këto katër kërkesa ne i kemi depozituar që para dy javësh në kuvend për të bërë të mundur që të debatojmë në sallën e Kuvendit", u shpreh Këlliçi.

Të fundit