Flash News

KRYESORE

Nga Rama për Ramën: Mesazhi i gjatë që KM publikoi për të mbrojtur qeverinë

Nga Rama për Ramën: Mesazhi i gjatë që KM publikoi për

“Mos e çoni as ndërmend (në Itali themi "Nemmeno Per Scherzo") të jepni dorëheqjen!”.

Ky është mesazhi që kryeministri Edi Rama ka publikuar këtë të enjte e që, sipas tij, i është dërguar nga një emigrant shqiptar që jeton dhe punon në Itali.

Në një kohë kur qeveria po përballet me akuza nga opozita dhe protesta të vazhdueshme lidhur me investimet strategjike dhe zhvillimin e turizmit, Rama zgjodhi të ndajë publikisht këtë mesazh mbështetës, duke e paraqitur si një zë të diasporës që kundërshton narrativën se “Shqipëria po shitet”.

Por kush është autori?

Në postimin e tij, Rama nuk jep asnjë informacion për identitetin e personit që i ka shkruar. Nuk bëhet e ditur nëse bëhet fjalë për një qytetar të zakonshëm, një biznesmen, një aktivist apo një person me lidhje politike. Megjithatë, mesazhi bie në sy për gjatësinë, strukturën dhe argumentet e përdorura.

Një mesazh që ngjan më shumë me një manifest

Përtej mbështetjes për kryeministrin, autori mbron pothuajse të gjitha projektet kryesore të qeverisë, nga resortet turistike te investimet strategjike në jug të vendit. Ai argumenton se Shqipëria nuk po shitet, por po zhvillohet, ndërsa kritikon ashpër kundërshtarët e qeverisë dhe protestuesit, duke i cilësuar këta të fundit si njerëz që rrinë në kafene, në TkTok apo që dalin xhiro me mjete luskoze.

“Ju dhe Partia Socialiste keni qenë ata që në vitet e fundit keni punuar për një vizion që ne të rinjve të lindur dhe/ose të rritur jashtë shtetit po na bën të ëndërrojmë. Po, po na bëni të ëndërrojmë të shpërngulemi në vendin tonë të origjinës për të ardhur të jetojmë dhe të punojmë, dhe nuk dua që kjo ëndërr të fiket pikërisht tani kur duket se është shumë afër realizimit!”

“Në Tiranë mund të mblidhen qindra mijëra qytetarë çdo mbrëmje dhe të protestojnë deri në pafundësi... por duhet ta dini se ju keni një mbështetje të fortë nga ata që jetojnë dhe punojnë me ndershmëri, njerëz si unë dhe familja ime! Që nuk kanë kohë as të rrinë në Tik Tok dhe të krijojnë fake neës me Inteligjencë Artificiale, por as që t'ju tregojnë se sa shumë ju mbështesim si kryeministër, sepse ndryshe nga ata që kalojnë ditët nëpër kafe, në TikTok, duke xhiruar gomat vërdallë pa kuptim me makina me xhama të zinj...”

Pseudo-emigranti të cilin Rama i ka servirur audiencës në Facebook shkon më tej, duke i cilësuar “injorrantë” ata shqiptarë që sot, protestojnë çdo ditë në shesh për plçkitjen që kryeministri po iu bën probanev publike.

“Mund t'ju bëja një listë të gjërave me të cilat jam pro dhe kundër, por dua ta shfrytëzoj këtë moment për t'ju dhënë disa këshilla se si të hiqni një njollë që interneti dhe njerëzit injorantë ju kanë vënë përsipër në këtë moment... domethënë që ju jeni kryeministri që po shet Shqipërinë.”

Në tekst përdoren terma si “turizëm i masës”, “turizëm me shpenzim të lartë”, “komunikim për të riedukuar popullatën”, “zonë me trafik të kufizuar” apo referenca ndaj modeleve të Zvicrës dhe Gjermanisë, elementë që e bëjnë mesazhin të duket më i strukturuar se një reagim i zakonshëm spontan në telefon.

Por, kontradikta interesante pikaset kur flet për korrupsionin. Sipas autorit të mesazhit, "korrupsioni është problemi i parë i këtij vendi", argument të cilin e përmbys menjëherë kur thotë se "kush e ka ndërgjegjen e pastër, e di që njerëzit që korruptohen nuk janë faji i Edi Ramës."

Narrativa që përputhet me atë të qeverisë

Një tjetër detaj që bie në sy është se shumë nga argumentet e autorit përputhen me linjën publike të mbrojtur prej muajsh nga qeveria. Autori këmbëngul se investimet e huaja dhe resortet nuk përbëjnë “shitje të Shqipërisë”, por një mundësi zhvillimi ekonomik, një tezë që Rama e ka përsëritur vazhdimisht në daljet e tij publike.

“Një Resort është një kompleks qendrash sportive, hotelesh, spitalesh, atraksionesh e të tjera. Dhe unë shpresoj që projekti të jetë i tillë, pra jo vetëm hotele luksi. Shpresoj të shoh aty në Vlorë atë që në Mynih të Gjermanisë është "Olimpiapark", një Olimpiapark tonin buzë detit, diçka që Europa dhe mbarë bota të na e kenë zili... Mjafton të merret si shembull modeli i Zermatt-it në Zvicër. Kush punon dhe kush informohet se si funksionon menaxhimi i një shteti dhe i investimeve, e di që nuk është kështu. E di që ju nuk po shitni asgjë!”

Po ashtu, autori i mesazhit në fjalë duartroket punën e qeverisë, që sipas tij, ka garantuar që sot Shqipërisë mos i mungojë asgjë.

“Nuk po flas për komoditetet, tani nuk mungon pothuajse asgjë, puna që keni bërë në këto vite po e çon vendin në të njëjtin nivel me vendet e BE-së.”

Mesazh qytetari apo strategji komunikimi?

Publikimi i mesazhit ngre pyetje edhe mbi mënyrën se si kryeministri po zgjedh t'u përgjigjet kritikave. Në vend të një reagimi politik apo institucional, Rama ka vendosur të sjellë në vëmendje një dëshmi individuale, duke e përdorur si argument për të treguar se ekziston një mbështetje e heshtur ndaj qeverisë dhe projekteve të saj.

 

Të fundit