Flash News

E SHPJEGUAR

Nga heshtja te mobilizimi: si u “zgjuan” socialistët pas qortimit të Ramës?

Nga heshtja te mobilizimi: si u “zgjuan” socialistët pas
Foto e gjeneruar me AI

Çfarë ndodhi?

Në mbledhjen e fundit të grupit parlamentar, Rama artikuloi një mesazh të qartë për socialistët lidhur me protestën: Vihuni në lëvizje!

Kryeministri u ankua se asnjë deputet nuk e kishte mbështetur, duke i kritikuar për heshtjen e tyre përballë protestës masive.“Vetëm Taulant Balla më ka qëndruar në krah duke mbajtur qëndrime në rrjetet sociale”, u shpreh Rama gjatë mbledhjes. Por, fill pas kritikës së tij, socialistët u vunë në lëvizje me statuse, video, intervista televizive deri në sulme personale ndaj protestuesve.

Konteksti

Deklarata e Ramës vjen në kulmin e protestave kundër qeverisë, teksa mazhoranca socialiste po përballet me rritje të presionit publik dhe politik, madje, edhe përçarjes që ka krijuar në radhët e PS. Ky episod ilustron mënyrën se si reagimi publik i mazhorancës shpesh ndjek direktivat politike të dhëna në mbledhjet e brendshme të partisë.

‘Ushtarët’ e Ramës

Në mesin e të qortuarve, përjashtim bënin disa deputetë të cilët i shkuan pas linjës dhe narrativës që kryeministri përdori ndaj protestës.

Aleati më i devotshëm i Ramës ishte Taulant Balla. Kreu i grupit të PS ndërmori një fushatë digjitale përçmuese, linçuese, duke marrë rolin e akuzuesit, kur fliste për makina që ‘importonin’ protestues nga Serbia apo Greqia.

Balla u shndërruar në ‘Reuters-in’ e Ramës që çdo ditë publikon kinse mesazhe nga qytetarë mjaft të revoltuar për imazhin e keq, sipas tyre, që protesta po i jep Shqipërisë. Madje të tjerë, flasin me patriotizëm të thekur kur shprehen se investimet do t’i jain mundësi që të kthehen dhe të investojnë në atdhe. Mesazhet e shpërndara nga Balla kanë një narrativë: të deformojnë realitetin që po shihet çdo ditë në bulevard.

Por, socialisti nuk u mjaftua vetëm me sulme. Paradoksalisht, Balla nisi takimet me të moshuarit, për t’iu shpjeguar se çfarë përfitimesh do të sillte projekti në Zvërnec.

E dyta në radhë është Zegjine Çaushi, deputetja që hyri në Parlament pas viralitetit që kori në rrjete sociale. Zegjineja e nisi luftën ndaj protestuesve me ‘këmbën e majtë’, duke sulmuar publikisht influenceren e njohur Dea Mishel Hoxha, sepse kjo e fundit jo vetëm që mori pjesë në protestë, por i shprehur hapur Ramës dështimet e qeverisë përballë popullit.

Revolta e Dea Mishel duket se nervozoi Zegjinenë e cila e quajti “shëmtirë”, “idiote”, fyerje që përfshinë në debat më vonë edhe personazhe të tjerë të njohur. “Të bësh ironi ti shëmtirë është fundi i botës”, shkroi deputetja.

Por, reagimet e Dea Mishel pas deklaratës së Zegjinesë, bënë që kjo e fundit të mbyllë komentet në çdo postim, madje, edhe duke i bërë bllok Deas, për të shmangur një përplasje direkte.

Ardit Bido, i ftuar në studiot televizive, akuzonte se pas protestës fshihej Greqia, me synimin e vetëm, për të dëmtuar turizmin dhe investimet në Shqipëri. Bido ka përdorur një gjuhë të ashpër ndaj qytetarëve që protestonin para Kryeministrisë.

Në statuset e tij në Facebook, Bido sulmoi edhe Vetëvendosjen, duke akuzuar se po frymëzonin protestën dhe sulmet ndaj tij.

Reagimi i tij kulmoi kur u fut në turmën e protestuesve, pasi këta të fundit brohorisnin jashtë Kuvendit: “Rama jep dorëheqjen”. Protestuesit tentuan ta largojnë duke sjellë një përplasje mes tyre dhe deputetit, çka solli ndërhyrjen e policisë.

Deputetja e Elbasanit, Sara Mila, ishte një tjetër socialiste që iu gjen afër Ramës në ditët e vështira kur Kryeministria jehonte nga thirrjet: “Jepe dorëheqjen”, “Tradhtar”.

Mila, në një intervistë televizive, u shpreh se protesta nuk matej me numra duke u shprehur optimiste se ata që janë në shesh, nuk i përkasin votuesve socialistë.

“Nuk dua ta shoh këtë protestë në bazë numrash. Dhe mendoj që i gjithë debati është gabim nëse e matim me numra. Dhe unë jam e lumtur e ndonëse armiqtë e Shqipërisë duan të bëjnë antireklamën në mediat ndërkombëtare duke shfaqur foto të kësaj proteste, por pa dashur po bëjnë një reklamë shumë të madhe se po i tregojnë botës sa demokratike është Shqipëria, që po bën një protestë kaq të madh. Përsa i përket numrave unë mendoj që shqiptarët që janë në shesh, nuk janë këta shqiptarë kundër qeverisë, apo qeveria kundër tyre.”

 ‘Të qortuarit’ që zgjoi Rama

Kritika që Rama bëri në mbledhjen e grupit vendosi në lëvizje socialistët, të cilët filluan të bënin reagime në rrjete sociale, ose të ripostonin statuset e Ramës mbi protestën.

Ogerta Manastirliu, në një reagim të sajin, zgjodhi të sulmojë qytetarët e Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, të cilët i ishin bashkuar protestës në mbështetje të bashkëatdhetarëve.

Ajo kritikoi përdorimin e simboleve kombëtare, madje akuzoi se po përdorej termi “Diasporë” për qëllime politike.

“Bëjnë kontrast me këtë vullnet të mirë, përpjekjet gjatë ditëve të fundit të disa bashkëkombësave nga Kosova dhe Maqedonia e Veriut, të mbështjellë me simbolet kombëtare dhe nën logon e "Diasporës", për t'u bërë pjesë e instrumentalizimit politik, ndonëse është parim bazë i demokracisë që proceset politike dhe vendimmarrja brenda një shteti sovran, të përcaktohen nga qytetarët që gëzojnë të drejtën e votës në atë vend.

Ndjenja kombëtare është dhe duhet të mbetet udhërrëfyesi ynë, por ajo vlerësohet nga aftësia për të ndërtuar dhe bashkuar jo për të ndarë e përçarë për qëllime politike të ditës. Rruga jonë e vetme drejt një të ardhmeje që na sheh bashkë të integruar në Bashkimin Evropian, është bashkëpunimi i ngushtë dhe respektimi i plotë i institucioneve legjitime që qytetarët kanë zgjedhur vetë, në të dy anët e kufirit.”

Edhe Bledi Çuçi u vu në lëvizje i infektuar nga teoria e ‘algoritmit’ për të cilën foli Rama. Për deputetin socialist, njëjtë si për kreun e PS-së, protesta është përhapur masivisht për shkak të algoritmit.

“Politika nuk matet me “like” apo “followers”. Rrjetet sociale janë një industri fitimprurëse ku çdo klikim nxitur nga algoritmi kthehet në ndikim.”

Ulsi Manja i është bashkuar menjëherë linjës së kryeministrit, duke e çuar një hap më tej tonin e ashpër ndaj protestës. Në një reagim ku mbështet plotësisht qëndrimin e Ramës, Manja kërkon që qeveria e Albin Kurtit të distancohet nga ajo që ai e quan “çorbë qensh”,.

Madje, ai quan “hajvanë” shqiptarët e ardhur nga Kosova në protestë, pasi sipas tij një gjë e tillë i shërben kundërshtarëve të Kosovës.

“Dakord Kryeminister dakord, me ty jam, po neqoftese Albin Kurti nuk paska lidhje me kete çorbe qensh dhe ishalla s’ka, pse nuk distancohet qeveria e tij nga ky turp me gjoja “diaspore”?! Gjithesesi une mendoj se nuk ka hajvanllek me te madh se sa te vish nga Kosova per te rrezuar qeverine ne Tirane. Jo vetem se nuk e rrezon dot, po i jep nje dore te madhe armiqve te Kosoves qe do thone ja, shikojini kush jane, nuk rrine dot pa rremuje e pa konflikt as me Shqiperine qe e kane pjese te kombit te tyre!!!”

Korçari i butë, Niko Peleshi, ishte i pari që u kritikua nga Rama. “Cili është mendimi yt Niko se nuk të kam parë të mbash asnjë qëndrim”, iu drejtua Rama Peleshit në mbledhjen e grupit.

Peleshi zgjodhi një ton më institucional në dukje, por po aq të prerë në përmbajtje, duke e veshur mesazhin politik me gjuhë parimesh dhe “vijash të kuqe”.

“Protesta është e drejtë kushtetuese dhe shprehje e shëndetshme e pluralizmit demokratik. Por pikërisht për këtë arsye, ajo meriton të mbrohet nga ata që duan ta instrumentalizojnë për axhenda të ndryshme nga thelbi i saj.

Lufta e UÇK-së është trashëgimi e shenjtë e të gjithë shqiptarëve. Ajo nuk duhet të përdoret si karburant elektoral apo mjet presioni ndaj institucioneve. Kush e përdor atë kujtesë për të penetruar në një lëvizje qytetare që nuk ka asnjë lidhje me të, nuk e nderon atë luftë. Përkundrazi, tenton ta zhvlerësojë atë.

Interesi kombëtar, sovraniteti dhe stabiliteti nuk janë sllogane, por janë vijë e kuqe për të gjithë, përfshirë politikën dhe çdo lëvizje qytetare.”

Ky zinxhir reagimesh pas mbledhjes së grupit parlamentar nuk ishte thjesht një valë deklaratash të rastësishme, por dëshmi e një mekanizmi politik ku mesazhi i brendshëm shndërrohet menjëherë në linjë publike sulmi, duke e zhvendosur debatin nga përmbajtja e protestës te diskreditimi i saj./ Politiko.al

Të fundit