Flash News

E-TJERA

Tronditëse në Prrenjas/ 69-vjeçari i vë flakën bashkëshortes, shkak xhelozia

Tronditëse në Prrenjas/ 69-vjeçari i vë flakën
Një ngjarje e rëndë është regjistruar në fshatin Karkavec, në Njësinë Administrative Qukës të bashkisë Prrenjas, ku një 69-vjeçar dyshohet se ka tentuar t’i marrë jetën bashkëshortes së tij 67-vjeçare duke e lyer me benzinë dhe më pas duke i vënë flakën.

Sipas informacioneve paraprake, autori i dyshuar ka qenë në gjendje të dehur në momentin e ngjarjes. Fillimisht ai ka ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike ndaj bashkëshortes së tij, duke i marrë me forcë edhe telefonin celular.

Më pas, në kulmin e konfliktit, dyshohet se e ka spërkatur me benzinë dhe i ka vënë flakën, për motive që dyshohet të jenë xhelozie, ndërsa rrethanat e plota mbeten ende nën hetim.

Çifti jetonte vetëm në banesë, pasi djali i tyre ndodhet emigrant në Greqi. Sipas burimeve, dhuna në familje kishte qenë e përsëritur prej kohësh dhe 67-vjeçarja ishte pajisur me urdhër mbrojtjeje gjatë tre muajve të fundit.

Pas ngjarjes, e dëmtuara u transportua fillimisht në Spitalin Rajonal të Elbasanit për ndihmën e parë mjekësore, ndërsa më pas u dërgua në repartin e djegieve në Tiranë për trajtim të specializuar.

Ndërkohë, shërbimet e Policisë kanë arrestuar 69-vjeçarin dhe ndaj tij po vijojnë procedurat ligjore, ndërsa grupi hetimor po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.

Të fundit