Flash News

E-TJERA

“Fox News” jehonë protestës në Tiranë: Shqiptarët mbushin rrugët duke kërkuar dorëheqjen e Ramës

“Fox News” jehonë protestës në Tiranë:

Qeveria e kryeministrit Edi Rama po përballet me presion në rritje, ndërsa protestat në Shqipëri vijojnë me thirrje për dorëheqjen e tij, shkruan Fox News.

Shkak për protestat është bërë një projekt i madh për ndërtimin e një resorti luksoz në bregdetin shqiptar, i lidhur me investime të firmës së Jared Kushner. Projekti parashikon zhvillimin e destinacioneve turistike në zonat e Sazanit dhe Zvërnecit, me mijëra njësi hoteli dhe vila.

Zyrtarë dhe mbështetës të projektit e konsiderojnë atë një investim të rëndësishëm për ekonominë shqiptare, që do të sjellë vende pune dhe zhvillim turistik, duke theksuar se projektet janë në përputhje me ligjin dhe se disa nga zonat janë pronë shtetërore ose private me çështje të hapura gjyqësore.

Nga ana tjetër, protestues dhe kritikë të projektit shprehin shqetësime për ndikimin në zonat e mbrojtura natyrore, përfshirë Vjosa–Nartën, një zonë e rëndësishme për biodiversitetin dhe për shpendët shtegtarë.

Agim Nesho, ish-ambasador i Shqipërisë në SHBA dhe OKB, deklaron se protestat nuk janë kundër investitorëve të huaj, por kundër mënyrës së qeverisjes.

“Ndryshe nga disa informacione të gabuara në media, protestat në Shqipëri nuk janë kundër familjes së Presidentit Donald Trump apo investitorëve të huaj si Jared Kushner. Këta investitorë po sjellin 4 miliardë dollarë në Shqipëri që do të krijojnë vende pune dhe mundësi për të rinjtë tanë. Pas 12 vitesh dhe të paktën tre zgjedhjeve të vjedhura… ditët e Ramës duken të numëruara”, tha Nesho.

Eric Czuleger, redaktor i “The Under Report”, i cili jeton prej pesë vitesh në Shqipëri, thotë se qeveria e Ramës po përballet me presion të drejtpërdrejtë nga qytetarët.

“Qeveria e Ramës nuk ka qenë kurrë nën një presion kaq të drejtpërdrejtë nga populli shqiptar…Fillimisht ai mohoi ekzistencën e protestave… Kur ato u rritën, papritur u cilësuan si një ‘luftë hibride’ e nxitur nga Irani dhe Rusia”, u shpreh redaktori.

Asher Abehsera, kryetar i Sazan Real Estate Development LLC, thotë se projekti synon zhvillim afatgjatë.

“Për katër vite kemi punuar për të krijuar një destinacion të klasit botëror në bregdetin shqiptar… Qëllimi ynë është i thjeshtë: të promovojmë bukurinë natyrore të Shqipërisë, të krijojmë vende pune dhe të ndërtojmë diçka për të cilën brezat e ardhshëm të jenë krenarë. E ardhmja e projektit do të përcaktohet përfundimisht nga Shqipëria dhe qytetarët shqiptarë”, është shprehur ai.

Florjan Binaj, aktor dhe artist shqiptar, i cili mbështet protestat, thotë se ato janë ndër më të mëdhatë që nga viti 1991.

“Këto janë protestat më të mëdha që kanë ndodhur në Shqipëri që nga viti 1991”, tha ai, “protestuesit kërkojnë dorëheqjen e Ramës.”

Qeveria shqiptare ka deklaruar se projekti do t’i nënshtrohet vlerësimeve të thelluara mjedisore dhe ka mohuar akuzat se statusi i zonave të mbrojtura është ndryshuar për të favorizuar investimet. Sipas saj, Sazani është pronë shtetërore dhe nuk është planifikuar të shitet, ndërsa në Zvërnec çështjet e pronësisë janë ende në proces gjyqësor.

Qeveria Rama nuk iu përgjigj pyetjeve të drejtpërdrejta në lidhje me shqetësimet e protestuesve.

Të fundit