Flash News

KRYESORE

Nga “Vrima” te protestat, Rita Petro, rrëfimi i një gruaje që sfidoi çdo tabu

 Nga “Vrima” te protestat, Rita Petro, rrëfimi i një gruaje

Shkrimtarja dhe poetja Rita Petro ishte e ftuara e radhës në podkastin “Pasvon”, ku ndau mendimet e saj për protestat qytetare, letërsinë, fenomenet sociale dhe sfidat që ka hasur gjatë karrierës së saj si autore.

Gjatë intervistës me Alfred Lelën, Petro u ndal veçanërisht te protesta që po zhvillohet prej javësh në Tiranë, duke e cilësuar atë si një reagim të natyrshëm ndaj pakënaqësive të grumbulluara ndër vite.

“Shqiptarëve u është mbushur kupa”
Sipas saj, protesta nuk mund të shpjegohet vetëm nga një ngjarje e vetme, por është rezultat i një akumulimi të gjatë padrejtësish dhe zhgënjimesh.

“Padrejtësitë janë bërë mal. Njerëzve u është mbushur kupa. Ndoshta shkaku i fundit ishte ai që e derdhi kupën, por zemërimi kishte kohë që ishte grumbulluar”, tha ajo.

Petro vlerësoi gjithashtu praninë e të rinjve në protestë, duke e krahasuar situatën me lëvizjet e viteve ’90, kur edhe vetë kishte marrë pjesë në protesta së bashku me familjen e saj.

“Më pëlqen adrenalina e të kundërshtuarit”
Poetja u shpreh se e mbështet frymën e kundërshtimit qytetar, duke argumentuar se shoqëritë kanë nevojë të reagojnë kur krijohet ajo që ajo e quajti “ujë i ndenjur”.

“Jam gjithmonë me adrenalinën e protestës dhe të kundërshtuarit. Kur gjithçka mbetet e pandryshuar për një kohë të gjatë, shoqëria ka nevojë të shkundet”, u shpreh ajo.

Mimoza Ahmeti, fenomen përtej letërsisë
Një pjesë e rëndësishme e intervistës iu kushtua shkrimtares Mimoza Ahmeti dhe paraqitjes së saj në një reality show televiziv.

Sipas Petros, suksesi i Ahmetit lidhet me faktin se ajo nuk ka jetuar kurrë sipas etiketave të zakonshme dhe se publiku ka parë tek ajo një lloj autenticiteti të rrallë.

“Moza ka qenë gjithmonë e veçantë. Njerëzit kanë gjetur tek ajo shpirtin bohem dhe lirinë për të qenë vetvetja pa komplekse”, tha Petro.

“Vrima” dhe përplasja me konservatorizmin
Poetja kujtoi edhe polemikat e shumta që shoqëruan librin e saj “Vrima”, një vepër që sipas saj vazhdon të mbetet ndër më të diskutuarat në krijimtarinë e saj.

Ajo tregoi se kundër saj janë organizuar peticione publike, fillimisht për librin dhe më pas edhe për titullin “Poete Laureate”.

“Më kanë bërë peticione dy herë. Njëherë për ‘Vrima’ dhe një herë kur mora titullin ‘Poete Laureate’. Por kjo vetëm sa e bëri librin më të njohur”, tha ajo.

Petro mbrojti idenë se në letërsi nuk ekzistojnë fjalë të pista, por vetëm interpretime të tilla.

Migjeni, poeti i shpirtit
Kur u pyet për figurat më të rëndësishme të letërsisë shqipe, Rita Petro veçoi Migjenin, të cilin e cilësoi si poetin që solli “gjuhën e instinktit” në letërsinë shqiptare.

Ajo vlerësoi gjithashtu Ismail Kadarenë si një personalitet të madh të kulturës shqiptare, duke theksuar rolin e tij në njohjen e letërsisë shqiptare në botë.

Dashuria, mosha dhe liria për të zgjedhur
Në fund të bisedës, Petro u ndal edhe te marrëdhëniet njerëzore, duke theksuar se dashuria nuk duhet kufizuar nga mosha, por nga mungesa e harmonisë.

“Nuk dua një njeri të plakur në shpirt. Më shumë se bukuria, rëndësi ka sharmi dhe energjia që transmeton një njeri”, u shpreh ajo.

 

Të fundit