Flash News

E-TJERA

Malësi e Madhe/ Asgjësohen 306 bimë narkotike, arrestohen dy persona

Malësi e Madhe/ Asgjësohen 306 bimë narkotike, arrestohen dy

Policia e Malësisë së Madhe ka finalizuar operacionin e koduar “Flagranca”, duke goditur një rast të kultivimit të bimëve narkotike në fshatin Ivanaj.

Sipas njoftimit zyrtar, operacioni u zhvillua pas hetimeve intensive dhe përdorimit të metodave proaktive të hetimit. Gjatë kontrolleve në territorin e fshatit Ivanaj, shërbimet e Policisë zbuluan një parcelë ku ishin kultivuar 306 bimë të dyshuara narkotike të llojit Cannabis Sativa.

Në momentin e ndërhyrjes, efektivët kapën në flagrancë dy persona që dyshohet se kujdeseshin për parcelën. Në pranga u vunë shtetasit N. Z., 40 vjeç, banues në fshatin Guci e Re, dhe K. P., 43 vjeç, banues në fshatin Grudë e Re.

Bimët narkotike u asgjësuan në vendngjarje nëpërmjet djegies, ndërsa dy të arrestuarit do të përballen me akuzat për kultivim të bimëve narkotike.

Policia bën me dije se kontrollet vijojnë në të gjithë qarkun e Shkodrës, me qëllim parandalimin dhe goditjen e rasteve të kultivimit të lëndëve narkotike.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër për veprime të mëtejshme.

Të fundit