Flash News

E-TJERA

Përgjimet e Erion Isait/ Si u vodhën milionat e bashkisë së Ersekës

Përgjimet e Erion Isait/ Si u vodhën milionat e bashkisë së

Kryebashkiaku i Kolonjës, Erion Isai është marrë i pandehur nga SPAK, pasi akuzohet se ka favorizuar kompaninë “A&E Engineering” në disa procedura prokurimi, ku sipas hetimeve, projekti, fondi limit dhe kriteret e tenderit u ndërtuan në funksion të një kompanie të vetme.

Bashkë me Isain, SPAK ka dërguar për gjykim edhe 15 persona të tjerë: 7 zyrtarë dhe ish-zyrtarë të Autoritetit Rrugor Shqiptar, 7 punonjës të Bashkisë Kolonjë dhe administratoren e kompanisë “A&E Engineering”, Entela Çano. Akuzat janë për “Shpërdorim detyre”, “Shkelje të barazisë së pjesëmarrësve në tendera” dhe “Falsifikim dokumentesh”.

Sipas detajeve nga dosja e SPAK, rezulton se Çano kishte lidhje të ngushta me Isain, me të cilin komunikonte shpesh edhe me mesazhe. Isai e orientonte Çano përmes bisedave në WhatsApp për tenderët, ndërsa kompania e saj rezulton mbikëqyrëse e shumë punimeve të mëdha të kryera pothuajse gjithmonë nga të njëjta firma ndërtuese

Në qendër të dosjes qëndron tenderi për ndërtimin e rrugës Korçë-Ersekë, Loti 2, me fond limit 2.88 miliardë lekë me TVSH.

Sipas SPAK, Bashkia Kolonjë i ka kërkuar Autoritetit Rrugor të Shqipërisë financim për një projekt që pretendonte se e kishte marrë si dhurim. Por hetimi ka zbuluar se ai projekt nuk ekzistonte.

“Nga veprimet hetimore dhe provat e administruara është konstatuar se Bashkia Kolonjë nuk ka disponuar dokumentacion projektues të përgatitur prej saj për këtë objekt, ndonëse ekzistojnë korrespondenca zyrtare me Autoritetin Rrugor Shqiptar në të cilat paraqitet e kundërta”, thuhet në njoftimin e SPAK.

Më tej, Prokuroria thotë se dokumentet janë falsifikuar për të krijuar përshtypjen se projekti ishte dorëzuar.

“Nga provat e administruara, mbështetur edhe nga ekspertimi grafik i shkrimit dhe nënshkrimit të dokumentit, ka rezultuar se grupi i punës së Bashkisë Kolonjë, i përbërë nga shtetasit Erjon Cenko dhe Engjëll Dine, në bashkëpunim me shtetasen Entela Çano, kanë falsifikuar procesverbalin e marrjes në dorëzim të projektit nga Bashkia Kolonjë, ndërkohë që rezulton se nuk ka pasur projekt”, deklaron SPAK.
Por sipas Prokurorisë, nuk është manipuluar vetëm projekti. Edhe fondi limit i tenderit është përllogaritur në mënyrë të paligjshme. SPAK thotë se ish-drejtori i ARRSH-së, Ergys Verdho, së bashku me vartësit Erald Elezi, Genti Raça dhe Donikë Shehu, e përcaktuan vlerën e tenderit pa pasur projektin teknik dhe duke u mbështetur tek të dhënat e sjella nga vetë kompania që më pas do të fitonte procedurën.

Ekspertimi teknik dhe kontabël ka nxjerrë se fondi limit është fryrë me 590.2 milionë lekë.

Hetimi ka zbuluar se Entela Çano nuk është favorizuar vetëm në tenderin e rrugës Korçë-Ersekë. Edhe procedura për supervizimin e punimeve, me fond limit 22.7 milionë lekë, sipas SPAK, është orientuar në favor të kompanisë së saj.

“Anëtarët e komisionit të vlerësimit të ofertave kanë vepruar në kundërshtim me ligjin, duke krijuar avantazhe dhe privilegje të padrejta për shoqërinë e shtetases Entela Çano, ‘A&E Engineering’ sh.p.k.”, thuhet në njoftim.

Një episod tjetër lidhet me tenderin për mbikëqyrjen e ndërtimit të ujësjellësit të Ersekës dhe disa fshatrave përreth. Sipas SPAK, fondi limit nuk u bazua në një studim real tregu, por në oferta fiktive të përgatitura nga vetë kompania fituese.

Madje, sipas Prokurorisë, edhe kriteret teknike janë shkruar nga vetë Entela Çano.

Sekuestrimi i celularit të saj, zbuloi jo vetëm lidhjet direkte me kryebashkiakun Erion Isai, por dhe angazhimin e saj në përgatitjen e dokumenteve, që Bashkisë i duheshin për të hapur tendera. Komunikimet e Erion Isait me Entela Çanon, dëshmojnë në një marrëdhënie të ngushtë mes tyre. Çano kishte rol në preventivin e projekteve për ujësjellësin.

Erion Isai: Mirëmëngjes… shefe si të kam?

Entela Çano: Po njoftoj inxhinierin t’iu sjellë projektin.

Erion Isai: Nesër do të jem në Tiranë, më duhet projekti i fshatrave që ta kaloj te këshill teknik.

Erion Isai dhe Çano diskutojnë për uljen e parametrave dhe shumat që duhej të paraqiteshin, duke treguar se procedura ishte orientuar paraprakisht në bashkëpunim mes zyrtarëve të bashkisë dhe kompanisë fituese.

Erion Isai: Me duhet deri te premten lista me emrat e fshatrave dhe vlerat për çdo fshat vëlla. Një zjarr të luteeeeem!

Entela Çano: Pa merak, do bëj të pamundurën që të premten ti dorëzojmë.

Në lidhje me ujësjellësin hetimi zbuloi se vlera maksimale e mbikëqyrjes ishte 8.3 milionë lekë pa TVSH, i cili përkon me fondin limit të prokurimit ku fitues shpallet operatori që ofron ofertën më të afërt me vlerën minimale të llogaritur nga autoriteti kontraktor, por jo më poshtë se ajo. 

Ndërsa për Erion Isain, SPAK arrin në përfundimin se ai jo vetëm ka miratuar procedurat, por ka bashkëpunuar në vendosjen e kritereve që favorizonin kompaninë fituese./ Lapsi.al

 

Të fundit