Flash News

E-TJERA

Gjendet në Ibë një trup i pajetë, dyshohet se i përket Eglant Koçit

Gjendet në Ibë një trup i pajetë, dyshohet se i përket

Zhvillime të reja kanë dalë në dritë në lidhje me zhdukjen e 34-vjeçarit Eglant Koçi. Gjatë kontrolleve të kryera me dron në zonën e Ibës, në periferi të Tiranës, policia ka identifikuar atë që dyshohet të jetë një trup i pajetë në një terren të vështirë malor.

Për shkak të kushteve të terrenit, drejt vendit janë nisur efektivë të RENEA-s të specializuar në operacione alpinistike, me qëllim verifikimin e objektit të konstatuar dhe identifikimin e tij. Hetuesit po punojnë për të përcaktuar nëse bëhet fjalë për trupin e Eglant Koçit, i cili rezulton i zhdukur prej ditësh.

Në qendër të hetimeve vijon të jetë Armando Shakaj, i konsideruar si autori i dyshuar i ngjarjes. Sipas të dhënave të mbledhura deri më tani, lëvizjet e automjetit të tij janë gjurmuar deri në zonën e Ibës, çka ka orientuar edhe kërkimet e policisë në këtë territor.

Hetimet kanë zbuluar gjithashtu se pas ngjarjes së dyshuar kriminale janë ndërmarrë veprime që synonin zhdukjen e provave.

Dyshohet se Shakaj ka çaktivizuar kamerat e sigurisë në korridoret e godinës ku ndodhej, ndërsa më pas ka kërkuar nga kamerieri i lokalit të tij, Enea Zyferi, të ndërpriste furnizimin me energji elektrike. Sipas hetuesve, ky veprim synonte të shmangte regjistrimin nga kamerat të momentit kur trupi dyshohet se është transportuar drejt automjetit.

Të fundit