Flash News

E-TJERA

Akademikët shqiptarë jashtë vendit mbështesin protestat: Dështimet e qeverisjes kanë sjellë këtë krizë

Akademikët shqiptarë jashtë vendit mbështesin protestat:

Më shumë se 120 akademikë dhe studiues shqiptarë që zhvillojnë aktivitetin e tyre profesional në universitete dhe institucione kërkimore jashtë vendit kanë shprehur mbështetje publike për protestat qytetare që po zhvillohen në Shqipëri.

Përmes një deklarate të përbashkët, ata e konsiderojnë lëvizjen qytetare si pasqyrim të një pakënaqësie të akumuluar ndër vite ndaj mënyrës së qeverisjes dhe funksionimit të institucioneve shtetërore. Sipas tyre, kërkesat për më shumë transparencë, llogaridhënie dhe drejtësi burojnë nga një krizë e gjatë besimi mes qytetarëve dhe shtetit.

Akademikët argumentojnë se protestat nuk duhet parë si reagim i izoluar ndaj zhvillimeve të fundit, por si rezultat i problemeve të vazhdueshme politike dhe institucionale që kanë cenuar besimin te drejtësia, administrata publike dhe mundësitë për të ndërtuar një të ardhme në Shqipëri.

Në deklaratën e tyre, një vëmendje e veçantë i kushtohet gjendjes së arsimit të lartë, shkencës dhe inovacionit, fusha që sipas tyre janë lënë për vite me radhë jashtë prioriteteve të zhvillimit kombëtar. Ata nënvizojnë se nënfinancimi, mungesa e meritokracisë, dobësimi i standardeve akademike dhe ndikimi i interesave klienteliste kanë dëmtuar potencialin zhvillues të vendit.

Sipas nënshkruesve, cilësia e arsimit dhe kërkimit shkencor lidhet drejtpërdrejt me forcimin e demokracisë, zhvillimin ekonomik dhe ndërtimin e institucioneve funksionale. Për këtë arsye, ata e konsiderojnë degradimin e këtyre sektorëve si një simptomë të krizës më të gjerë që po përjeton vendi.

Duke shprehur gatishmërinë për të kontribuar me ekspertizën dhe përvojën e tyre, ata theksojnë se një transformim i qëndrueshëm i vendit kërkon jo vetëm ndryshime politike, por edhe reforma të thella institucionale që vendosin në qendër interesin publik, arsimin, shkencën dhe inovacionin.

Sipas tyre, ndërtimi i një Shqipërie më funksionale dhe më konkurruese kalon përmes shkëputjes nga praktikat që kanë penguar zhvillimin për vite me radhë dhe përmes krijimit të institucioneve që vlerësojnë dijen, profesionalizmin dhe meritën.

Deklarata:

Ne, një grup akademikësh shqiptarë jashtë vendit, shprehim mbështetjen dhe solidaritetin tonë të plotë me protestat paqësore qytetare në Shqipëri dhe me kërkesat e tyre legjitime për një Shqipëri të re, të qeverisur me përgjegjshmëri, transparencë dhe drejtësi, me institucione që u shërbejnë qytetarëve, jo pushtetit. Besojmë se shumë nga sfidat me të cilat përballet Shqipëria sot janë rezultat i dështimeve të përsëritura politike dhe institucionale, të cilat për shumë vite kanë dobësuar besimin e qytetarëve te shteti, te drejtësia dhe te mundësia për të ndërtuar të ardhmen në vendin e tyre.

Për këtë arsye, protestat e sotme nuk janë thjesht një reagim ndaj një situate të momentit, por shprehje e një lodhjeje të thellë shoqërore me modele qeverisjeje që nuk kanë vepruar në funksion të së mirës së përbashkët. Ne e shohim këtë krizë edhe përmes gjendjes së arsimit, shkencës dhe inovacionit në Shqipëri.

Politikat e ndjekura ndër dekada nuk i kanë vendosur këta sektorë dhe kapitalin njerëzor në qendër të zhvillimit të vendit. Përkundrazi, ato kanë toleruar nënfinancimin, mungesën e meritokracisë, dobësimin e integritetit akademik, lidhjet klienteliste dhe mungesën e një vizioni afatgjatë për dijen si interes kombëtar. Pa arsim cilësor, pa kërkim shkencor serioz, pa inovacion dhe pa meritokraci, nuk mund të ketë zhvillim të qëndrueshëm, ekonomi konkurruese apo institucione të forta demokratike.

Një shoqëri nuk mund të ecë përpara duke nënvlerësuar dijen, duke dobësuar universitetet, duke larguar të rinjtë si dhe duke trajtuar aftësinë, kompetencën dhe punën e ndershme si vlera dytësore. Për këtë arsye, gjendja e arsimit, shkencës dhe inovacionit nuk është një çështje sektoriale, por një tregues i drejtpërdrejtë i dështimit të modelit qeverisës të deritanishëm. Mungesa e financimit të qëndrueshëm, ndërhyrjet politike, autonomia universitare e brishtë, standardet e dobëta dhe mungesa e lidhjes me zhvillimin ekonomik janë pjesë e së njëjtës krize që sot qytetarët po e kundërshtojnë me të drejtë në rrugë.

Shqipëria po humbet prej vitesh një pjesë të konsiderueshme të të rinjve dhe profesionistëve të saj të kualifikuar. Për të ndryshuar këtë realitet, duhet të rikthehet besimi se dija, puna dhe merita vlerësohen dhe krijojnë mundësi reale për të ardhmen. Si akademikë dhe kërkues shqiptarë jashtë vendit, shprehim gatishmërinë tonë për të kontribuar me ekspertizë dhe përvojë në një të ardhme ku një Shqipëri e re ndërton institucione serioze në shërbim të interesit publik dhe u jep arsimit, shkencës dhe inovacionit vendin që meritojnë.

Por ky kontribut nuk mund të shkëputet nga nevoja për ndryshim të thellë politik dhe institucional, të kërkuar sot me të drejtë nga qytetarët protestues që çdo ditë demonstrojnë se një Shqipëri e re është e mundshme. E ardhmja e Shqipërisë nuk mund të ndërtohet pa dije. Një vend që nuk vlerëson arsimin, shkencën, inovacionin dhe kapitalin e vet njerëzor dobëson vetveten. Një Shqipëri e re kërkon jo vetëm ndryshim politik, por edhe shkëputje të qartë nga dështimet shumëvjeçare që e kanë mbajtur vendin larg potencialit të tij.

 

Të fundit