Flash News

Ditari i Opozitës

Bardhi: PE i dha të drejtë protestuesve, Rama të shfuqizojë ndryshimet në ligjin për zonat e mbrojtura

Bardhi: PE i dha të drejtë protestuesve, Rama të shfuqizojë

Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka reaguar pas miratimit të  amendamentit në Raportin e Parlamentit Europian për Shqipërinë, duke deklaruar se eurodeputetët janë rreshtuar në krah të qytetarëve që po protestojnë kundër ndërhyrjeve në zonat e mbrojtura.

Në një reagim publik, Bardhi tha se Parlamenti Europian po flet me një zë të unifikuar me protestuesit shqiptarë, duke kërkuar shfuqizimin e dispozitave të ndryshuara të ligjit për zonat e mbrojtura.

Bardhi theksoi se Parlamenti Europian po ndjek nga afër protestat paqësore që po zhvillohen në vend dhe u bën thirrje autoriteteve shqiptare të vendosin menjëherë një moratorium për procedurat e reja të lejeve, punimet ndërtimore dhe ndërhyrjet zhvillimore brenda zonave të mbrojtura.

REAGIMI:

Parlamenti Evropian flet me një zë të unifikuar me qytetarët shqiptarë që protestojnë prej ditësh: të shfuqizohen dispozitat e papajtueshme të Ligjit të ndryshuar për Zonat e Mbrojtura, në përputhje me kërkesën e kahershme të Komisionit dhe Parlamentit Evropian, si dhe me kriteret përmbyllëse të Kapitullit 27.

Por Edi Rama, që duket se ka humbur edhe sensin e të kuptuarit, bën sikur nuk di të lexojë.

Amendamenti shtesë i miratuar sot nga Parlamenti Evropian në Raportin për Shqipërinë:
* shpreh shqetësim serioz se zhvillimet e vazhdueshme brenda zonës së mbrojtur Vjosa-Nartë tregojnë pasojat praktike të këtyre ndryshimeve ligjore dhe rreziqet që ato sjellin për zonat me vlera të njohura ekologjike;
* shpreh se po ndjek nga afër protestat masive paqësore që po zhvillohen në këtë drejtim;
* u bën thirrje autoriteteve shqiptare që të vendosin menjëherë një moratorium për të gjitha procedurat e reja të pajisjes me leje, punimet ndërtimore dhe ndërhyrjet zhvillimore brenda zonave të mbrojtura, derisa të shfuqizohen dispozitat e papajtueshme të Ligjit të ndryshuar për Zonat e Mbrojtura, në përputhje me kërkesën e kahershme të Komisionit dhe Parlamentit Evropian, si dhe me kriteret përmbyllëse të Kapitullit 27, dhe derisa të sigurohet përputhshmëria e plotë me standardet e BE-së për mbrojtjen e natyrës; dhe
* thekson se çdo projekt në këtë zonë duhet t’i nënshtrohet vlerësimeve gjithëpërfshirëse të ndikimit në mjedis, plotësisht në përputhje me standardet e BE-së, duke përfshirë një proces transparent të pjesëmarrjes publike me komunitetet lokale, shkencëtarët dhe shoqërinë civile.

Tani Edi Rama ka vetëm një detyrë: të dëgjojë zërin e eurodeputetëve dhe të shfuqizojë ndryshimet në ligjin për zonat e mbrojtura. Projektligji është depozituar prej nesh në Kuvend prej një muaji dhe pret votën e deputetëve. 

Të fundit