Flash News

E-TJERA

Incidenti në protestë/ Gazetari Osman Stafa sulmohet fizikisht, UGSH kërkon hetim

Incidenti në protestë/ Gazetari Osman Stafa sulmohet fizikisht, UGSH

Osman Stafa, gazetari i News24, denoncoi mbrëmjen e së dielës se ishte sulmuar nga 2 persona në qendër të Tiranës, teksa raportonte nga protesta qytetare.

Sipas gazetarit, dy personat në fjalë e kanë ofenduar dhe fyer, si edhe e kanë lënduar fizikisht. Stafa deklaroi se ka bërë denoncim ndaj dy agresorëve, ndërsa pohon se sulmi ka ardhur për shkak të detyrës së tij si gazetar.

“Ishim në shoqërinë e 2 gazetarëve të huaj, një italian dhe një polake, po marshonim për të kapur turmën. 2 persona na kanë prerë rrugën duke ofenduar si dhe më kanë lënduar lehtë fizikisht, duke më cilësuar si një person që punën time nuk e bëj mirë. Nuk kam reaguar ndaj këtij provokimi.

Ishin 2 persona që ishin të shqetësuar për raportimet dhe mbështetjen që i kam dhënë protestës. E dinin që isha gazetar dhe erdhën duke më çjerrë me thonj. Nuk jam shoqëruar por kam ardhur në policinë e shtetit për të kallëzuar 2 personat. Ishte sulm i mirëfilltë ndaj detyrës time si gazetar”, u shpreh Osman Stafa në një lidhje direkte për News24.

Pas incidentit, ka reaguar edhe Unioni i Gazetarëve Shqiptarë i cili kërkon hetim nga autoritetet për të zbardhur të vërtetën e ngjarjes.

“Unioni i Gazetarëve Shqiptarë reagon ndaj provokimit të dy personave datën 21.06.2026, rreth orës 18.00, ndaj gazetarit Osman Stafa, i cili rastin në fjalë e ka kallëzuar pranë organeve të policisë së shtetit. 

Personat agresivë e kanë sulmuar gazetarin me ofendime, me fyerje dhe deri në cënim të integritetit fizik të tij, për shkak të detyrës.

UGSH kërkon nga këto autoritete hetimin e shpejtë të rastit dhe zbardhjen e qëllimit të autorëve si dhe ndëshkimin ligjor”, thuhet në reagimin e UGSH.

Të fundit