Flash News

E-TJERA

Strasburgu rrëzon vendimin e vettingut: Shkelje e Konventës në shkarkimin e prokurorit Gentian Osmani

Strasburgu rrëzon vendimin e vettingut: Shkelje e Konventës në

Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut (GJEDNJ) ka vendosur kundër shtetit shqiptar, duke konstatuar shkelje të nenit 8 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut në rastin e shkarkimit të prokurorit Gentian Osmani.

Osmani ishte larguar nga detyra në vitin 2019 nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit, pas ankimimit të Komisionerit Publik, edhe pse më herët ishte konfirmuar në detyrë nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit. Ai kishte ushtruar funksionin e prokurorit në ish-Prokurorinë e Krimeve të Rënda dhe ishte gjithashtu pjesë e garës për Këshillin e Lartë të Prokurorisë.

Sipas institucioneve të vettingut, ndaj tij ishin konstatuar mungesa të burimeve të ligjshme financiare për disa vite, konkretisht për vitet 2011 dhe 2013, duke ngritur dyshime për mospërputhje mes të ardhurave dhe shpenzimeve të deklaruara nga familja.

Megjithatë, Gjykata e Strasburgut vlerësoi se shkarkimi i tij nuk ishte proporcional, duke theksuar se çështjet e ngritura lidhen kryesisht me deklarime formale dhe jo me prova të mjaftueshme për pasuri të paligjshme apo fshehje asetesh. Gjykata vuri në dukje edhe faktin se bashkëshortja e tij, e cila iu nënshtrua një vlerësimi të ngjashëm, ishte konfirmuar në detyrë, gjë që sipas saj ngre dyshime mbi qëndrueshmërinë e vendimeve të autoriteteve shqiptare.

Në vendim, GJEDNJ konstatoi se shkarkimi i prokurorit ka pasur pasoja të rëndësishme në jetën e tij profesionale dhe private dhe nuk është justifikuar në mënyrë të mjaftueshme në raport me qëllimet e procesit të vettingut. Për këtë arsye, gjykata urdhëroi Shqipërinë të paguajë 6,000 euro dëmshpërblim për dëme jopasurore dhe 5,000 euro për shpenzime ligjore.

Gjithashtu, nëse kërkohet nga pala paditëse, autoritetet shqiptare mund të shqyrtojnë rihapjen e procedurave të vettingut, në përputhje me standardet e Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Të fundit