Flash News

E-TJERA

Nga dorëheqja e Ramës te qeveria teknike, ish-luftëtari i UÇK-së shpalos kërkesat zyrtare të protestuesve

Nga dorëheqja e Ramës te qeveria teknike, ish-luftëtari i

Protesta masive kundër qeverisë së kryeministrit Edi Rama ka hyrë sot në ditën e 23-të radhazi, duke mbledhur sërish mijëra qytetarë para Kryeministrisë. Gjatë tubimit, në emër të grupit koordinues, ish-luftëtari i UÇK-së Dritan Goxhaj prezantoi një deklaratë politike ku u paraqitën kërkesat e përmbledhura pas më shumë se tre javësh proteste dhe konsultimesh me qytetarët.

Sipas tij, protesta paqësore synon një transformim të thellë të sistemit politik dhe ligjor në vend, duke artikuluar pesë shtylla kryesore.

Në qendër të platformës kërkohet dorëheqja e menjëhershme e kryeministrit Edi Rama dhe e kabinetit qeveritar, si dhe ngritja e një qeverie teknike tranzitore jopartiake me mandat 12-mujor.

Po ashtu, propozohet hartimi i një Kushtetute të re përmes referendumit popullor, që garanton barazi para ligjit dhe përfshin ndryshime në Kodin Zgjedhor, ligjin për financimin e partive politike, si dhe kufizimin e mandatit të kryeministrit në maksimum dy mandate gjatë karrierës politike.

Në listën e kërkesave përfshihen edhe anulimi i ndryshimeve ligjore për zonat e mbrojtura, trashëgiminë kulturore, “Paketa e Maleve” dhe kuadri për investimet strategjike.

Në fund, kërkohet edhe një kontratë e re sociale mes qytetarëve dhe shtetit, që do të hartohet përmes konsultimeve me ekspertë, intelektualë dhe qytetarë të propozuar nga vetë protestuesit.

Kërkesat:

Dorëheqja e panegociueshme e Kryeministrit Edi Rama dhe e të gjithë kabinetit qeveritar.
Krijimi i një qeverie teknike tranzitore, e cila do të jetë jopartiake dhe do të ketë një mandat të qartë 12-mujor.
Hartimi i një Kushtetute të re që garanton barazinë e plotë të shtetasve para ligjit, e cila do të miratohet me referendum popullor. Kjo reformë kushtetuese parashikon:
Ndryshimin e Kodit Zgjedhor;
Ndryshimin e ligjit për financimin e partive politike dhe organizatave;
Kufizimin e mandatit të Kryeministrit në jo më shumë se dy mandate (të plota ose të pjesshme) gjatë gjithë jetës politike të një individi.
Mosheqja dorë nga kërkesat fillestare ekonomike dhe mjedisore, ku kërkohet urgjentisht:
Anulimi i ndryshimeve në ligjin për “Zonat e Mbrojtura”;
Anulimi i ndryshimeve në ligjin për “Trashëgiminë kulturore”;
Shfuqizimi i paketës ligjore të njohur si “Paketa e Maleve”;
Shfuqizimi i statusit dhe kuadrit ligjor për “Investimet Strategjike”.
Një kontratë e re sociale mes qytetarëve dhe shtetit, e cila do të përpilohet përmes konsultimeve me intelektualë, ekspertë teknikë dhe qytetarë apartiakë të propozuar direkt nga sheshi i protestës.

Të fundit