E-TJERA

"Kam qenë deputet që 22 vjeç", pas përplasjes në gjykatë, shtyhet seanca Meta - Kryemadhi

"Kam qenë deputet që 22 vjeç", pas përplasjes

Seanca gjyqësore ndaj ish-presidentit Ilir Meta dhe ish-deputetes Monika Kryemadhi është shtyrë për në datën 9 korrik, pas një seance të shoqëruar me debate dhe akuza të ndërsjella mes dy ish-bashkëshortëve.

Gjatë seancës, Meta kërkoi kryerjen e një ekspertize të pavarur financiare për të verifikuar pasuritë dhe të ardhurat e tij ndër vite, duke kundërshtuar mënyrën se si, sipas tij, janë përllogaritur të ardhurat nga organet hetimore.

Ish-presidenti deklaroi se do të koordinohet me mbrojtjen për paraqitjen e dëshmitarëve sipas episodeve të çështjes, ndërsa insistoi se në llogaritjet financiare janë lënë jashtë elementë të rëndësishëm, si dietat e përfituara gjatë ushtrimit të detyrave shtetërore.

Gabimet në llogaritjen e pasurive nuk janë rastësi. Kërkoj që për mua të përdoret e njëjta metodologji që është përdorur për gjyqtarët dhe prokurorët gjatë procesit të vettingut”, deklaroi Meta para trupit gjykues.

Ai argumentoi se gjatë viteve në poste të larta shtetërore ka përfituar dieta nga udhëtimet zyrtare jashtë vendit, të cilat sipas tij nuk janë marrë në konsideratë në analizat financiare.

Kam qenë ministër i Jashtëm, deputet dhe president. Kam kryer qindra ditë udhëtime zyrtare dhe është absurde të pretendohet se të gjitha dietat janë shpenzuar”, u shpreh Meta.

Në përfundim, ai kërkoi një ekspertizë të pavarur si për pasurinë personale, ashtu edhe për periudhën kur ka qenë në bashkëjetesë familjare me Monika Kryemadhin, duke kërkuar që të analizohen të gjitha të ardhurat e ligjshme të dokumentuara ndër vite.

Pas diskutimeve dhe kërkesave procedurale, gjykata vendosi shtyrjen e seancës për në 9 korrik.

Të fundit