Bota

Franca në “flakë” nga i nxehti ekstrem, Evropa përgatitet për kulmin

Franca në “flakë” nga i nxehti ekstrem, Evropa

Evropa po përballet me një valë të fortë të nxehti, e cila ka goditur veçanërisht Francën, Spanjën dhe Italinë, ndërsa temperaturat ekstreme pritet të përhapen edhe në pjesë të tjera të kontinentit gjatë ditëve në vijim.

Në Francë, mbi gjysma e vendit është vendosur në alarm të kuq për temperaturat e larta, ndërsa autoritetet paralajmërojnë një tjetër ditë me mot përvëlues të mërkurën. Situata është shoqëruar edhe me probleme serioze në infrastrukturë, ku dhjetëra mijëra banesa në rajonin e Bretanjës kanë mbetur pa energji elektrike.

Ndërkohë, në rajonin Maine-et-Loire një zjarr i madh pyjor është vënë nën kontroll gjatë natës, pas ndërhyrjes së forcave zjarrfikëse.

Franca ka regjistruar të martën ditën më të nxehtë të muajit qershor që nga fillimi i matjeve, me një temperaturë mesatare prej 29.8°C, sipas të dhënave zyrtare.

Autoritetet paralajmërojnë se vala e të nxehtit do të zgjerohet drejt Evropës Perëndimore, me paralajmërime portokalli në Holandë për kushte të rrezikshme atmosferike.

Në ditët në vijim, temperaturat pritet të arrijnë kulmin në Holandë dhe Belgjikë, ndërsa në Gjermani termometri mund të ngjitet deri në 40°C gjatë fundjavës.

Po ashtu, vala e të nxehtit pritet të përfshijë edhe Evropën Lindore, ku vende si Polonia, Kroacia dhe Hungaria kanë lëshuar paralajmërime të forta për temperatura ekstreme.

Sipas autoriteteve franceze, vetëm në Francë janë regjistruar 40 raste mbytjesh të lidhura me kushtet e nxehtësisë që nga java e kaluar.

Autoritetet europiane u bëjnë thirrje qytetarëve të shmangin ekspozimin në diell gjatë orëve të pikut dhe të marrin masa mbrojtëse ndaj temperaturave ekstreme, ndërsa pritet që situata të mbetet e rënduar edhe në ditët në vijim.

Të fundit