Flash News

POLITIKOFF

Zbulohet një proteinë që mund të lidhet me plakjen e trurit dhe kujtesën

Zbulohet një proteinë që mund të lidhet me plakjen e trurit

Shkencëtarët mund të kenë identifikuar një element kyç në procesin e plakjes së trurit, një fenomen kompleks që ndikon në kujtesë dhe funksionet njohëse me kalimin e moshës.

Sipas një studimi të publikuar në revistën “Nature Aging”, proteina FTL1 mund të luajë një rol të rëndësishëm në këtë proces.

Studimi analizoi ndryshimet në trurin e minjve gjatë plakjes, me fokus në mekanizmat që ndikojnë në ngadalësimin e aktivitetit mendor dhe dobësimin e kujtesës.

Studiuesit zbuluan se nivelet e rritura të proteinës FTL1 lidhen me performancë më të dobët të kujtesës dhe me reduktim të lidhjeve nervore në hipokampus, pjesa e trurit përgjegjëse për mësimin dhe kujtesën.

Eksperimentet treguan se rritja e kësaj proteine tek minjtë e rinj solli shenja të ngjashme me plakjen e trurit, ndërsa ulja e saj tek minjtë më të vjetër u shoqërua me përmirësim të funksioneve njohëse dhe një gjendje më “të re” të trurit.

Autori kryesor i studimit, Dr. Saul Villeda nga Universiteti i Kalifornisë në San Francisko, u shpreh se rezultatet hapin mundësi të reja për të kuptuar dhe ndoshta lehtësuar efektet e plakjes.

“Po shohim më shumë mundësi për të lehtësuar pasojat më të rënda të plakjes. Është një kohë shpresëdhënëse për të punuar në biologjinë e plakjes”, tha ai.

Të fundit