Flash News

Bota

"Përvëlohet" Europa, mbi 1.300 viktima nga i nxehti ekstrem

"Përvëlohet" Europa, mbi 1.300 viktima nga i nxehti ekstrem

Europa po përballet me një nga valët më të rënda të të nxehtit të viteve të fundit, e shoqëruar me temperatura rekord, viktima, zjarre masive dhe ndërprerje serioze në transport dhe shërbime publike. Autoritetet në disa vende kanë shpallur alarme emergjente, ndërsa meteorologët paralajmërojnë se pas kësaj vale përvëluese mund të vijnë stuhi të forta dhe episode moti ekstrem.

Në Francë, shërbimet shëndetësore raportojnë rreth 1.000 vdekje më shumë se mesatarja vetëm që nga mesi i javës së kaluar. Autoritetet thonë se bilanci mund të rritet më tej, pasi të përfundojë përpunimi i certifikatave të vdekjes. Situata në morgjet e Parisit dhe zonave përreth është bërë kritike, duke iu afruar kapaciteteve maksimale. Qeveria franceze ka mbledhur urgjentisht strukturat përkatëse për të analizuar ndikimin e valës së të nxehtit dhe masat që duhen marrë në raste të ngjashme.

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, që prej 21 qershorit në Europë janë regjistruar mbi 1.300 vdekje të lidhura drejtpërdrejt me temperaturat ekstreme.

Ndërkohë, vende si Çekia, Gjermania dhe Polonia kanë regjistruar temperatura historike. Vapa ka shkaktuar probleme të mëdha në rrjetin hekurudhor, me vonesa të gjata, pasagjerë të bllokuar dhe sisteme klimatizimi që nuk arrijnë të përballojnë temperaturat pranë 40 gradë Celsius.

Në Gjermani, situata është përkeqësuar edhe nga zjarret e mëdha pyjore. Në Berlin, policia ka përdorur topa uji për të freskuar turmat në hapësirat publike, ndërsa në disa rajone operacionet e emergjencës janë komplikuar nga prania e municioneve të pashpërthyera të Luftës së Dytë Botërore, duke detyruar evakuime të banorëve.

Italia po përgatitet për kulmin e valës së të nxehtit, me temperatura që mund të arrijnë deri në 41°C në Luginën e Posë dhe 37–39°C në pjesën më të madhe të vendit. Meteorologët parashikojnë se më pas do të depërtojnë masa ajrore më të freskëta nga Atlantiku, të cilat mund të sjellin stuhi të forta, reshje intensive, breshër dhe erëra të fuqishme, fillimisht në veri dhe më pas në rajonet qendrore dhe jugore.

Të fundit