Flash News

Bota

Pse gjermanët nuk kanë kondicioner në shtëpi?

Pse gjermanët nuk kanë kondicioner në shtëpi?  

Evropa po përballet gjithnjë e më shpesh me temperatura ekstreme, ndërsa ndryshimet klimatike po e kthejnë kontinentin në një nga më të prekurit nga valët e të nxehtit në botë. Sipas të dhënave të shërbimit Copernicus dhe IPCC, Evropa po ngrohet me ritme dy herë më të shpejta se mesatarja globale, duke sjellë pasoja të drejtpërdrejta për shëndetin, energjinë dhe jetën e përditshme.

Ndryshe nga SHBA apo disa vende të Azisë, ku kondicionerët janë pjesë normale e jetesës, shumë familje evropiane – veçanërisht në Gjermani dhe Europën Veriore – nuk janë të pajisura për t’u përballur me temperatura ekstreme. Në SHBA rreth 90% e familjeve kanë ajër të kondicionuar, ndërsa në Evropë kjo shifër bie në rreth 20%, dhe në Gjermani vetëm rreth 6% e banesave kanë sisteme fikse ftohjeje, shkruan DW.

Rritje e temperaturave dhe presion mbi sistemet energjetike

Valët e të nxehtit po bëhen më të shpeshta dhe më intensive, duke rritur presionin mbi infrastrukturën dhe shëndetin publik. Studime të fundit tregojnë se temperaturat në disa periudha të verës janë deri në 4°C më të larta krahasuar me fundin e shekullit të kaluar.

Kjo situatë ka sjellë edhe rritje të ndjeshme të kërkesës për pajisje ftohëse. Në Gjermani, përdorimi i sistemeve të klimatizimit është rritur me rreth 75% në pesë vitet e fundit, ndërsa ekspertët paralajmërojnë se ky trend pritet të vazhdojë.

Evropa mes kostove dhe mungesës së infrastrukturës

Ekspertët theksojnë se një nga arsyet kryesore të mungesës së kondicionerëve është fakti se shumë ndërtesa në Evropë janë ndërtuar për të ruajtur ngrohtësinë në dimër, jo për të përballuar verat ekstreme. Kjo i bën shtëpitë më pak të përshtatshme për sistemet moderne të ftohjes, sidomos në qytetet me ndërtime historike.

Një tjetër faktor është kostoja e energjisë, e cila po rritet, duke e bërë ftohjen e banesave një luks për një pjesë të qytetarëve. Sipas sondazheve evropiane, një pjesë e konsiderueshme e popullsisë nuk ka mundësi financiare të sigurojë ftohje të mjaftueshme gjatë verës.

Të fundit