Flash News

Bota

Mbi 1,300 viktima nga vapa në Evropë

Mbi 1,300 viktima nga vapa në Evropë

Valët ekstreme të të nxehtit kanë shkaktuar mbi 1,300 vdekje në Evropë që prej 21 qershorit, sipas të dhënave të bëra publike nga drejtori i përgjithshëm i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), Tedros Adhanom Ghebreyesus.

Përmes një reagimi në rrjetin social X, ai theksoi se Evropa mbetet kontinenti që po përjeton ngrohjen më të shpejtë në botë, me ritme rreth dy herë më të larta se mesatarja globale. Sipas tij, rreth 150 milionë banorë në kontinent po përballen aktualisht me temperatura ekstreme, të cilat përbëjnë një rrezik serioz për shëndetin.

Ghebreyesus nënvizoi se shumë ndërtesa, përfshirë banesat, shkollat dhe ambientet e punës, nuk janë projektuar për të përballuar temperatura kaq të larta, duke i bërë qytetarët edhe më të ekspozuar ndaj pasojave të vapës.

Kreu i OBSH-së paralajmëroi se valët e të nxehtit nuk mund të konsiderohen më ngjarje të rralla. Sipas tij, fenomenet që dikur ndodhnin një herë në disa dekada tani po përsëriten pothuajse çdo vit, si pasojë e ndryshimeve klimatike dhe ngrohjes globale.

Ai bëri të ditur se OBSH po punon ngushtë me shtetet anëtare dhe partnerët ndërkombëtarë për të përmirësuar përgatitjen dhe reagimin ndaj emergjencave të shkaktuara nga temperaturat e larta. Në të njëjtën kohë, u bëri thirrje qeverive evropiane të hartojnë dhe zbatojnë plane efektive për mbrojtjen e shëndetit publik gjatë valëve të të nxehtit, duke e konsideruar këtë një prioritet përballë sfidave që sjell ndryshimi i klimës.

Të fundit