KRYESORE

Trump dhe aleatët ‘i vënë vizën’ Shqipërisë? Reuters: Qeveria po rrezikon Samitin e NATO-s në Tiranë

Trump dhe aleatët ‘i vënë vizën’

Planet që Shqipëria të presë samitin e ardhshëm të NATO-s janë vënë në pikëpyetje. Sipas një raportimi të Reuters, administrata e presidentit amerikan Donald Trump dhe një pjesë e vendeve anëtare të Aleancës kanë shprehur rezerva për zhvillimin e samitit në Tiranë, kryesisht për shkak të nivelit të ulët të shpenzimeve të mbrojtjes të vendit.

Agjencia ndërkombëtare, duke cituar një diplomat të NATO-s, një zyrtar evropian dhe tre burime të njohura me diskutimet, raporton se projekti i deklaratës për samitin që do të mbahet javën e ardhshme në Ankara nuk përmend më Shqipërinë si vendin pritës të samitit pasardhës, ndonëse kjo ishte parashikuar në deklaratën e miratuar në samitin e Hagës.

Sipas burimeve, kjo lëvizje lidhet me përpjekjet e aleatëve evropianë për të shmangur tensionet me presidentin Donald Trump, i cili ka kërkuar vazhdimisht rritjen e ndjeshme të shpenzimeve të mbrojtjes nga vendet anëtare.

Një nga personat në dijeni të negociatave tha për Reuters se niveli aktual i investimeve të Shqipërisë në mbrojtje mund të shkaktojë pakënaqësi te Trump, nëse samiti zhvillohet në Tiranë, duke sjellë edhe jehonë negative në media.

Në versionin më të fundit të projekt-deklaratës, liderët e NATO-s shprehin vetëm pritshmërinë për takimin e ardhshëm, pa përmendur vendin apo datën e organizimit.

I pyetur nga Reuters, një zëdhënës i qeverisë shqiptare minimizoi rëndësinë e këtij ndryshimi, duke deklaruar se "projektet janë projekte, jo vendime", ndërsa theksoi se dokumenti është ende në fazë negociatash dhe mund të ndryshojë.

Raporti rikujton se në samitin e Hagës, aleatët ranë dakord të rrisin shpenzimet për mbrojtjen deri në 5% të Prodhimit të Brendshëm Bruto brenda dhjetë viteve. Ndërkohë, Shqipëria ishte një nga vendet që ende nuk kishte arritur objektivin minimal prej 2% të PBB-së.

Megjithatë, qeveria shqiptare i tha Reuters se po finalizon masat fiskale që do ta çojnë buxhetin për mbrojtjen dhe sigurinë në 2.6% të PBB-së gjatë vitit 2026, në përputhje me metodologjinë e NATO-s.

Pavarësisht paqartësive, një diplomat evropian u shpreh optimist se Shqipëria mund të mbetet ende vendi pritës i samitit.

"Ata po rrisin shpenzimet. Do të shohim se ku do të përfundojë kjo, por unë ende besoj se samiti i ardhshëm do të mbahet në Shqipëri", deklaroi ai për Reuters.

Të fundit