Flash News

E-TJERA

Laboratori i k*kainës në Frakull, dënohet me 14 vite burg ‘kimisti’ kolumbian

Laboratori i k*kainës në Frakull, dënohet me 14 vite burg

Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka dënuar me 14 vite burg shtetasin Saimir Rosales Rodriguez, i akuzuar si një nga personat kyç në përpunimin dhe shpërndarjen e kokainës së zbuluar në laboratorin e Frakullës në Fier.

Procesi gjyqësor ndaj tij është zhvilluar në mungesë, ndërsa autoritetet shqiptare po vijojnë procedurat për ekstradimin e tij nga Kolumbia.

Sipas hetimeve të SPAK, Rodriguez dyshohet se ka pasur rol të rëndësishëm në aktivitetin kriminal të laboratorit të kokainës, i zbuluar gjatë një operacioni të zhvilluar më 24 nëntor 2022 në banesën e ish-kryetarit të komunës Frakull, Viktor Çervanaku, e cila ishte përshtatur për përpunimin e drogës.

Prokuroria e Posaçme ka bërë me dije se ngarkesa prej rreth 485.5 kilogramësh kokainë kishte mbërritur në Shqipëri e përzier me pleh kimik artificial, duke kaluar fillimisht nga Kolumbia drejt Portit të Pireut në Greqi, më pas në Portin e Barit në Mal të Zi dhe më tej në territorin shqiptar më 19 shtator 2022.

Sipas SPAK, nëse lënda narkotike do të dilte në treg, ajo do të sillte një fitim të mundshëm prej rreth 40 milionë eurosh.

Më 6 mars të këtij viti, GJKKO miratoi edhe pesë masa të reja sigurie, nga të cilat tre janë ekzekutuar, ndërsa dy persona janë shpallur në kërkim. Të akuzuarit përfshijnë emra si Kevin (Arjan) Margjoni, Durim Keçi, Klevent Gjolena, Aldi Zonja dhe Musa Gjikola.

Sipas SPAK, këta persona dyshohet se janë pjesë e një organizate kriminale me 15 anëtarë, e përfshirë në disa episode trafiku ndërkombëtar droge, ku një pjesë e të pandehurve janë dënuar më herët nga GJKKO.

Për të njëjtin episod trafiku, janë dënuar më parë edhe 10 shtetas shqiptarë dhe kolumbiani Saimir Rosales Rodriguez.

Të fundit