Flash News

Ditari i Opozitës

'Albanian Files'/ Këlliçi kërkon komision hetimor për projektet e arkitektëve të huaj: Si janë dhënë kontratat?

'Albanian Files'/ Këlliçi kërkon komision hetimor

Deputeti i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, ka kërkuar në Kuvend ngritjen e një komisioni hetimor parlamentar për të shqyrtuar mënyrën se si, sipas tij, arkitektë të huaj kanë përfituar projektet më të mëdha publike në Shqipëri.

Gjatë fjalës së mbajtur në seancën plenare, Këlliçi akuzoi mazhorancën se po shmang debatin për çështje që, sipas tij, kanë ngjallur shqetësim edhe në institucionet evropiane. Ai tha se Kuvendi nuk mund të injorojë zhvillimet që po diskutohen jashtë vendit, duke iu referuar edhe qëndrimeve të Parlamentit Europian lidhur me një ligj të miratuar nga mazhoranca.

Deputeti demokrat përmendi gjithashtu librin "Albanian Files", për të cilin tha se dokumenton mënyrën se si janë zhvilluar projektet urbanistike në Shqipëri gjatë 13 viteve të fundit. Sipas Këlliçit, libri nuk është një botim i opozitës, por bazohet në dëshmi të personave që kanë qenë të përfshirë në projektet më të rëndësishme të vendit.

“Ky parlament nuk duhet të sillet sikur nuk po ndodh asgjë jashtë këtyre mureve. Ju refuzuat debatin. Atyre iu dëgjua fjala në PE, ndërsa ju e refuzoni që të diskutoni për ta. PE kërkoi shprehimisht shfuqizimin e ligjit të miratuar. Ndërkohë që ju heshtni, nuk jepni asnjë shpjegim që i hapi rrugën vjedhjes së pronës së shqiptarëve. Albanian files tregon se si në 13 vite arkitektë ndërkombëtar të bënin projekte, pa marrë parasysh se nga vinin këto para.

Ky nuk është libër i opozitës, një pamflet politik, por libri i Edi Ramës dhe njerëzve të tij, njerëzve që kanë qenë në zemër të projekteve të mëdha të këtij vendi. Në këtë libër plot 750 faqe, nuk shfaqet asnjë arkitekt shqiptar, por të huaj. Problemi nuk është se kryeministri flet me arkitektët, por projektet lindin nga marrëdhëniet personale të tij dhe jo nga ligji. Të ngremë një Komision Hetimor për të hetuar se si kanë përfituar arkitektet e huaj projekte në vendin tonë.” u shpreh Këlliçi.

 

Të fundit