E-TJERA

Kamerë e fshehtë pranë Burgut të Drenovës, dyshohet se u përdor në atentatin ndaj Brian Syzos

Kamerë e fshehtë pranë Burgut të Drenovës, dyshohet se

Një kamerë e fshehtë e vendosur pranë Burgut të Sigurisë së Lartë në Drenovë ka ngritur dyshime se mund të jetë përdorur për të planifikuar një atentat ndaj Brian Syzos. Pajisja u zbulua rreth katër ditë më parë, e montuar në një plep buzë rrugës që të çon drejt institucionit penitenciar.

Burime nga grupi hetimor bëjnë me dije se, pas verifikimeve të kryera nga Komisariati i Policisë Korçë dhe analizimit të pamjeve të kamerave të sigurisë në zonë, janë identifikuar si të dyshuar për vendosjen e saj vëllezërit Nikolla dhe Edison Agolli.

Sipas dyshimeve të hetuesve, kamera ishte instaluar për të ndjekur lëvizjet e Brian Syzos, i cili vizitonte vëllain e tij, Sindi Syzo, të dënuar në Burgun e Drenovës për plagosjen me thikë të Nikolla Agollit. Dyshohet se qëllimi ishte grumbullimi i informacioneve mbi lëvizjet e tij, në funksion të organizimit të një sulmi.

Hetimet paraprake e lidhin këtë veprim me konfliktin mes palëve, ku motivi kryesor dyshohet të jetë hakmarrja.

Ngjarja konsiderohet e lidhur edhe me atentatin e ndodhur pak ditë më parë në Pogradec, ku Nikolla Agolli u arrestua menjëherë pasi dyshohet se hapi zjarr në drejtim të Brian Syzos. Në kuadër të të njëjtit operacion u arrestua edhe David Prifti, ndërsa Edison Agolli dhe Meardi Berberi, i njohur me nofkën "Koro", vijojnë të jenë në kërkim.

Policia po vijon hetimet për të dokumentuar të gjithë skemën e dyshuar kriminale, për të sqaruar rolin e kamerës së fshehtë në planifikimin e sulmit, si dhe për të vënë në pranga personat e shpallur në kërkim.

Të fundit