Flash News

E-TJERA

Prestigjiozja 'France 24' jehonë protestave: Gaz lotsjellës dhe arrestime në protestat kundër Ramës

Prestigjiozja 'France 24' jehonë protestave: Gaz lotsjellës

Prestigjiozja franceze 'France 24' i ka kushtuar vëmendje protestave që prej më shumë se një muaji zhvillohen në Tiranë kundër qeverisë së kryeministrit Edi Rama, duke vënë theksin te përplasjet mes protestuesve dhe forcave të policisë.

Në artikullin e saj, sic shkruan politiko.al, media franceze përshkruan përdorimin e gazit lotsjellës, sprajit irritues dhe ujit me presion për shpërndarjen e turmës, si dhe ndalimin e dhjetëra protestuesve.

"Përplasjet mes protestuesve dhe policisë u ashpërsuan të enjten në Tiranë, ndërsa protestat kundër një projekti turistik luksoz të lidhur me familjen e presidentit amerikan Donald Trump vijojnë të zgjerojnë objektivin e tyre, duke u shndërruar në një lëvizje më të gjerë kundër qeverisë.

Protestat nisën në fund të muajit maj kundër ndërtimit të një resorti luksoz të lidhur me Ivanka Trump dhe bashkëshortin e saj, Jared Kushner, në zonën e mbrojtur të Zvërnecit, në jugperëndim të Shqipërisë. Që prej asaj kohe, ato janë kthyer në protesta të përditshme kundër korrupsionit, qeverisë dhe mënyrës së menaxhimit të investimeve strategjike.

Për të dytën herë brenda kësaj jave, qindra protestues u mblodhën përpara Parlamentit, duke tentuar të bllokonin hyrjet e godinës. Forcat e policisë ngritën barrikada dhe përdorën gaz lotsjellës, spraj djegës dhe topa uji për të shpërndarë turmën, ndërsa protestuesit hodhën gurë, vezë dhe objekte të tjera ndaj efektivëve.

Sipas autoriteteve, nga përplasjet mbetën të plagosur disa efektivë policie, ndërsa dhjetëra protestues u ndaluan. Protestuesit, nga ana e tyre, akuzojnë policinë për përdorim të tepruar të forcës.

Qeveria shqiptare e ka mbrojtur projektin, duke argumentuar se ai do të ndikojë në zhvillimin ekonomik të vendit dhe do të ndihmojë Shqipërinë të pozicionohet në tregun e turizmit luksoz, në një kohë kur synon anëtarësimin në Bashkimin Evropian.

Megjithatë, kundërshtarët e projektit paralajmërojnë se ndërtimi rrezikon një nga ekosistemet më të rëndësishme të vendit, ku ndodhen habitate të mbrojtura të flamingove dhe shpendëve shtegtarë. Ata kërkojnë anulimin e projektit dhe dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, duke e konsideruar këtë investim simbol të korrupsionit dhe mungesës së transparencës", thuhet në artikull. 

Të fundit