Flash News

E-TJERA

Biznesi ngre shqetësime për qeverisjen, informalitetin dhe integrimin në BE

Biznesi ngre shqetësime për qeverisjen, informalitetin dhe integrimin

Qeverisja, ekonomia informale dhe gatishmëria e biznesit për integrimin në Bashkimin Europian dominuan diskutimet pas konferencës “Si po ecën ekonomia – Analiza e treguesve dhe perspektiva e biznesit”, që u zhvillua nga Dhoma Amerikane e Tregtisë (AmCham) dhe Revista Monitor pak ditë më parë.

Debati u përqendrua veçanërisht te hendeku mes legjislacionit dhe zbatimit të tij, në një moment kur Shqipëria po përshpejton procesin e përafrimit me direktivat europiane. Pjesëmarrësit theksuan se biznesi duhet të përfshihet më herët në procesin e hartimit të politikave dhe legjislacionit, për të shmangur rrezikun që reformat të mbeten vetëm në letër.

Një tjetër shqetësim që u rikthye në diskutim ishte pesha e ekonomisë informale, e konsideruar si një nga sfidat më të mëdha për zhvillimin afatgjatë të vendit dhe për procesin e integrimit europian.

Përfaqësues të sektorit privat argumentuan se formalizimi i ekonomisë do të kërkojë  tranzicion të kujdesshëm, në mënyrë që kostot të mos transferohen te sektorët prodhues dhe eksportues, të cilët po përballen prej vitesh me humbje të konkurrueshmërisë.

Në të njëjtën kohë, u ngritën shqetësime për rritjen e rolit të shtetit në ekonomi, nivelin e konkurrencës në disa sektorë dhe ndikimin që këto zhvillime mund të kenë tek investimet private.

Palët dakordësuan se rruga drejt anëtarësimit në BE do të kërkojë jo vetëm harmonizim ligjor, por edhe reforma më të thella në funksionimin e tregut, forcimin e institucioneve dhe reduktimin e ekonomisë informale.

Zgjidhjet që vijnë nga biznesi

Grant Van Cleve, Kryetari i Dhomës Amerikane të Tregtisë: Nuk është e lehtë të fshihet ajo që tregon ky studim. Duam të theksojmë se nuk është se nuk po ndodh asgjë, ka zhvillime pozitive.

Por, krahas elementeve pozitive, ka edhe çështje që kërkojnë vëmendje. Pesë nga gjashtë treguesit me përkeqësim lidhen me qeverisjen dhe menaxhimin e ekonomisë. Si vend dhe si qeveri duhet të dëgjojmë mesazhet që dalin nga kjo anketë. Shpresojmë që këto gjetje të shërbejnë si bazë për një dialog më të gjerë.

Dialogu konstruktiv mes industrisë, qeverisë dhe dhomave të biznesit është veçanërisht i rëndësishëm në këtë moment të procesit të integrimit europian.

Mes diskutimeve për sukseset e e-qeverisjes, duhet të kemi hapësirën për të pranuar se ekonomia informale dhe korrupsioni, siç perceptohen nga biznesi, janë mesazhe që duhen marrë seriozisht. Këto nuk duhet të na vendosin në pozita opozitare ndaj qeverisë, por përballë njëri-tjetrit për të dëgjuar dhe për të kuptuar shqetësimet.

Po kështu dua të ndalem në faktin që u përmend se një pjesë e konsiderueshme e rritjes ekonomike vjen nga shteti. Ne besojmë te tregu i lirë dhe duhet të çlirojmë ekonominë dhe të heqim pengesat që kufizojnë rritjen natyrore të saj.

Duhet të mendojmë se si të reduktojmë varësinë nga rritja e nxitur nga shteti dhe të sigurohemi që rritja që mbetet të jetë sa më efikase dhe e qëndrueshme. Javën e kaluar, gjatë një diskutimi me ministrin e Mjedisit, po flisnim për disa objektiva që nuk do të jenë të lehta për t’u arritur nga biznesi.

Në diskutim u ngrit edhe çështja e zgjidhjeve të mundshme. Ministri tha se, në vend që të krijohet një komitet i ri, biznesi duhet të vijë vetë me zgjidhje. Mendoj se ky është një parim i rëndësishëm. Kur ekziston një zgjidhje që vjen nga tregu, ajo duhet të jetë modeli dhe perspektiva që ndjekim.

Pse gjetjet e indeksit vijnë në një moment të rëndësishëm

Diana Leka, Këshilli i Investimeve: Mesazhet e sotme vijnë ndoshta në një moment delikat, por ajo që dua të vlerësoj është fakti që keni bërë një krahasim 10-vjeçar. Mendoj se duhet të reflektojmë mbi politikat që janë ndjekur gjatë kësaj periudhe dhe ndikimin që ato kanë pasur në këto rezultate, të cilat në fund të fundit pasqyrojnë perceptimet e biznesit.

Fakti që keni kombinuar analizën makroekonomike me indeksin e klimës së biznesit është një instrument inovativ, i mirëpritur nga të gjitha palët. Do të ftoja edhe dhomat e tjera të biznesit të ndërmarrin nisma të ngjashme për të kuptuar më mirë se ku ndodhemi.

Unë isha veçanërisht kureshtare për komponentin e digjitalizimit dhe e vlerësoj këtë analizë, pasi edhe ne kemi publikuar studime të përbashkëta mbi digjitalizimin e shërbimeve vendore, qendrore dhe të sistemit të pronës.

Mendoj se këto gjetje vijnë në një moment të rëndësishëm, pasi sapo janë publikuar dy dokumente strategjike: Strategjia Industriale dhe Deklarata për Mbështetjen e Ndërmarrjeve të Vogla dhe të Mesme. Komentet dhe sugjerimet që dalin nga ky raport përbëjnë një input shumë të vlefshëm për përmirësimin e këtyre dokumenteve të politikave publike.

Ligjet e BE-së po miratohen, por rrezikojnë të mbeten vetëm në letër

Jorida Tabaku, deputete, eksperte ekonomie: Dua të ndalem në tre elemente kryesore. Së pari, vërej se shumë prej ligjeve dhe legjislacionit që miratohen në kuadër të përafrimit me Bashkimin Europian mbeten në letër.

Ne kemi nevojë që hendeku mes ligjit dhe zbatimit të diskutohet me biznesin, për të kuptuar gatishmërinë e tij për procesin e integrimit. Nëse biznesi nuk është i përgatitur për legjislacionin që po i vjen, atëherë këto reforma rrezikojnë të mbeten vetëm në letër.

Kjo lidhet drejtpërdrejt edhe me indeksin e korrupsionit. Edhe pse janë ngritur institucione të rëndësishme kundër korrupsionit, bizneset vazhdojnë ta perceptojnë korrupsionin si një nga treguesit me përkeqësimin më të madh.

Kjo lidhet me faktin se në shumë sektorë ka pak operatorë ekonomikë, kontrata të drejtpërdrejta që mund të krijojnë monopole ose oligopole dhe një nivel të ulët konkurrence. Operatori më i madh në ekonomi është shteti, dhe nuk duhet të jetë ai. Biznesi duhet të jetë forca që udhëheq ekonominë.

Elementi i dytë lidhet me ekonominë informale. “Monitor” publikoi pak ditë më parë një analizë mbi pastrimin e parave dhe ekonominë informale. Zhvlerësimi i Euros me rreth 30% ka sjellë një strukturë ekonomike të ngjashme me atë që u prezantua sot: rënie të bujqësisë, të prodhimit dhe vështirësi në sektorin fason. Ky është një rrezik real, pasi ka ndryshuar struktura e ekonomisë dhe e Investimeve të Huaja Direkte.

Nga ana tjetër, kemi edhe problemin e ligjeve që krijojnë favore të veçanta fiskale. Kjo nuk kufizohet vetëm tek investimet strategjike apo te lehtësitë për turizmin. Për shembull, ligji i ri për taksën e pronës zgjeron përfitimet edhe për rezidencat, duke stimuluar sektorë që nuk e shpërndajnë rritjen ekonomike në mënyrë të balancuar në të gjithë ekonominë.

Po kështu, për sa i përket informalitetit, kemi parë shumë aksione kundër tij, por pak rezultate. Ekonomia nuk mund të menaxhohet me aksione sporadike; nevojitet vullnet politik i qëndrueshëm dhe i shtrirë në të gjithë sektorët.

Së fundi, për sa i përket përafrimit të legjislacionit me Bashkimin Europian, procesi nuk është në gjendjen më të mirë. Shpesh një ligj kalon në Parlament brenda dy javësh dhe më pas biznesit i kërkohet ta zbatojë brenda tre muajve. Biznesi duhet të përfshihet në grupet e punës dhe në procesin e hartimit të legjislacionit, sepse vetëm kështu zbatimi bëhet më i lehtë dhe më efektiv

Tatëpjeta e bujqësisë, situata sot

Agim Rrapaj, KASH: Ne e vlerësojmë analizën tuaj si një analizë konkrete, por kemi edhe një këndvështrim plotësues për disa prej çështjeve që ngrini. Ne mendojmë se rënia e bujqësisë vjen, në një masë të madhe, si efekt i rritjes së sektorëve të tjerë, veçanërisht ndërtimit dhe turizmit.

Nga ana tjetër, kemi identifikuar disa faktorë të tjerë që kanë ndikuar në këtë situatë. I pari është niveli i ulët i bashkëpunimit dhe koordinimit në sektor. Afërsisht 70% e fermerëve mbeten të pakooperuar. Një tjetër problem lidhet me mekanizimin, digjitalizimin dhe inovacionin. Në bujqësi, këto procese vazhdojnë të kenë mangësitë e tyre.

Kemi konstatuar se niveli i mekanizimit, krahasuar me vendet e tjera, është larg standardeve të Bashkimit Europian. Mosha mesatare e mjeteve bujqësore është shumë e lartë; shumë prej tyre kanë mbi 20 vite përdorim dhe duhej të ishin nxjerrë jashtë funksionit. Po kështu, inovacioni po avancon me ritme të ngadalta. Ka modele pozitive, por ato mbeten të izoluara dhe nuk janë shtrirë në të gjithë sektorin. Ndërsa digjitalizimi është bërë domosdoshmëri, sidomos për menaxhimin e parcelave dhe aktivitetit bujqësor.

Krahasuar me rajonin, niveli i financimit për bujqësinë në Shqipëri është rreth dy herë më i ulët, dhe e njëjta situatë vlen edhe për grantet. Sa i takon legjislacionit, kemi disa mangësi të rëndësishme. Mungon ende ligji për sigurimin në bujqësi, ndërsa një sërë ligjesh nuk janë

përditësuar prej vitesh. Në shumë prej reformave ligjore që po ndërmerren aktualisht, bujqësia po mbetet jashtë vëmendjes.”

Paraja informale, “elefanti në dhomë” i ekonomisë shqiptare

Florian Zekja, Manifaktura: Ajo që dua të them për ecurinë e ekonomisë dhe drejtimin ku po shkojmë është se sektorë të ndryshëm të ekonomisë shqiptare, sidomos prodhimi dhe eksportet, po e ndiejnë prej tre vitesh një problem që së fundmi është bërë ‘elefanti në dhomë’: paraja informale dhe paraja jashtë kontrollit të bankave. Këtu flitet për një shumë shumë të madhe, rreth 5 miliardë euro para jashtë sistemit bankar. Nëse kësaj i shtojmë edhe paranë informale, atëherë kemi të bëjmë me një shifër edhe më të madhe.

Në këtë kontekst, biznesi po përballet me një sfidë të madhe: integrimin europian, qoftë në vitin 2030 apo 2031. Europa nuk do të na lejojë të hyjmë me një ekonomi informale në kufijtë e 50%, me euroizim të ekonomisë afër 60% dhe me një sasi kaq të madhe parash informale, që ndikon eksportet, pasuritë e paluajtshme dhe sektorë të tjerë.

Mendoj se duhet të hapet një debat i gjerë me biznesin, shoqërinë civile, qeverinë dhe politikën për mënyrën se si do të zëvendësohet kjo para ditën kur asaj do t’i vendosen kufizime. Siç kanë treguar përvojat e vendeve të tjera, si Rumania dhe Bullgaria, që kanë pasur situata të ngjashme, pyetja kryesore është: me çfarë do të zëvendësohet kjo sasi e madhe parash që sot ndikon ekonominë?

Përshtypja ime është se barra do t’i vendoset prodhimit. Prandaj duhet të ndjekim modelet e vendeve të tjera, për të parë se si kanë vepruar ato, në mënyrë që të mos dëmtojmë prodhimin vendas. Ky debat duhet të hapet tani, sepse viti 2030 nuk është larg. Biznesi është shumë i papërgatitur, si nga ana e informacionit, ashtu edhe nga transformimi i investimeve që kërkohen për të përmbushur standardet e Bashkimit Europian.

Mbrojtja e konsumatorit

Rinald Guri, ekspert i tregut financiar: Si ish-rregullator financiar, doja të ndalesha në një element që mendoj se meriton më shumë vëmendje: mbrojtjen e konsumatorit.

Nga ajo që pamë sot, do të veçoja disa çështje si rritja e peshës së ekonomisë shtetërore, monopolet dhe konkurrenca e padrejtë. Në thelb, kemi të bëjmë me një centralizim më të madh të ekonomisë, i cili teorikisht sjell edhe reduktim të lirive ekonomike. Mendoj se fati i biznesit është i lidhur ngushtë me fatin e konsumatorit. Ekzistojnë mekanizma dhe institucione që synojnë mbrojtjen e konsumatorit, por besoj se kjo çështje mund të përfshihet më qartë edhe në rekomandimet që dalin nga ky raport.

Një tjetër element që do të doja të nënvizoja lidhet me përafrimin e legjislacionit të Bashkimit Europian në tregun financiar. Mendoj se ritmi i shpejtë i përafrimit mund të krijojë rreziqe shtesë nëse legjislacioni i ri nuk përputhet me infrastrukturën reale dhe nivelin e zhvillimit të tregut.

Bashkëpunimi rajonal, si mundësi për tërheqjen e IHD-ve

Dritan Nako, Sekretar i Bordit të AmCham: Gjatë takimeve tona në Uashington, pati një mesazh që e dëgjuam në mënyrë të përsëritur nga institucionet: ‘Jeni shumë të mirë, por jeni shumë të vegjël’.

Ky mesazh duhet të na bëjë të reflektojmë mbi nevojën për bashkëpunim rajonal dhe më gjerë. Është e dobishme të krahasohemi me rajonin dhe Europën, por edhe më e rëndësishme është të identifikojmë mundësitë reale për bashkëpunim, krijimin e sinergjive dhe përfshirjen në projekte rajonale dhe europiane. Vetëm në këtë mënyrë mund të bëhemi më tërheqës për investitorët amerikanë. Jam i bindur se e njëjta logjikë vlen edhe për investitorët e tjerë të mëdhenj ndërkombëtarë.

Paraqitja jonë pozitive ekonomike dhe politike si një shtet i vetëm është e rëndësishme, por nuk është e mjaftueshme për tërheqjen e investimeve të mëdha. Për këtë nevojitet një qasje më e gjerë bashkëpunimi dhe integrimi rajonal.

Integrimi, pjesëmarrje aktive në konsultime

Ledia Muço, Delegacioni i Bashkimit Europian në Tiranë: Ashtu si në të kaluarën, ne jemi të interesuar të mbajmë një lidhje aktive me përfaqësuesit e sektorit privat dhe investitorët e huaj. Këtë përpiqemi ta realizojmë përmes formave të ndryshme të bashkëpunimit, qoftë në kuadër të konsultimeve publike, tryezave të diskutimit për klimën e biznesit dhe sektorë të veçantë të ekonomisë, si dhe duke ndarë vlerësimet që shërbimet e Komisionit Europian përgatisin për Shqipërinë.

Por, ajo që do të doja të theksoja është rëndësia e konsultimit dhe vlerësimit me grupet e interesit, si për dokumentet strategjike, ashtu edhe për ligje të veçanta. Kjo nënkupton se sa më i madh të jetë angazhimi i aktorëve në procesin e konsultimit, aq më i mirë do të jetë rezultati.

Prandaj ju nxis të përfshiheni sa më shumë në këto procese.

Një ndryshim ligjor kërkon 12 vite për t’u përthithur nga biznesi

Bernard Shehu, Konsort (kompania që zhvillon anketën e AmCham): Në raport gjeni një grafik shumë interesant që lidhet me perceptimin e ngarkesës fiskale. Ai tregon se biznesit i është dashur 12 vite ose mund t’i duhen edhe 12 vite të tjera, për të absorbuar plotësisht një ndryshim ligjor të ndërmarrë nga qeveria.

Kur diskutojmë me institucionet publike, duhet t’u tregojmë këtë grafik dhe t’u themi se biznesit i duhen vite të tëra për të përthithur efektet e ndryshimeve ligjore.

Ky indeks plotësohet çdo vit nga drejtues ekzekutivë, presidentë kompanish dhe menaxherë të lartë që kanë një pamje të gjerë mbi biznesin e tyre, sektorin ku operojnë dhe ekonominë në tërësi. Për këtë arsye, alarmet që dalin nga anketa duhen marrë seriozisht, pasi ato shpesh paralajmërojnë zhvillime që materializohen pas pesë apo dhjetë vitesh.

Për shembull, ne ngritëm alarmin për mungesën e burimeve njerëzore që në vitin 2013 dhe paralajmëruam se do të përballemi me këtë problem. Sot po shohim se ky problem është bërë realitet.

Kur këta drejtues ngrenë shqetësime të tilla, ata bazohen në një perceptim të gjerë të ekonomisë dhe duhen parë si sinjale të hershme për sfidat që mund të shfaqen në të ardhmen. Prandaj edhe ndryshimet në politika duhet të bëhen me kujdes, pasi ndikimi i tyre shpesh shtrihet për një dekadë ose më shumë.

Sfidat për importuesit e ushqimeve

Mikel Selami, kompani importi ushqimor: Kam dy shqetësime kryesore që, sipas meje, ndihmojnë të shpjegohet pse ekonomia po përballet me vështirësi.

Së pari, nuk funksionon siç duhet Porti i Durrësit. Flitet vazhdimisht se porti po funksionon normalisht, por realiteti që përjetojmë ne si biznes është ndryshe. Aktualisht terminali nuk funksionon në mënyrën që duhet dhe kjo krijon probleme serioze për aktivitetin tonë.

Së dyti, kemi problemin e kontrabandës. Ne mund të kemi një hartë politike nga Tropoja në Sarandë, por nuk kemi një hartë ekonomike funksionale. Në shumë qytete kufitare me vendet e rajonit, aktiviteti ynë është i kufizuar ose i pamundur për shkak të diferencave fiskale.

Maqedonia e Veriut ka një TVSH prej 5% për produktet ushqimore, ndërsa Kosova aplikon 7% dhe nuk ka taksë doganore për shumë produkte. Këto diferenca krijojnë disavantazhe të qarta konkurruese për bizneset që operojnë në Shqipëri.

Do të ishte e dobishme të kishim edhe një përfaqësues të qeverisë në këtë diskutim. Gjithsesi, ju falënderoj që na jepni mundësinë të ngremë këto shqetësime, sepse shpesh nuk dimë se ku duhet të trokasim kur përballemi me probleme konkrete si ato që kemi sot me Portin e Durrësit. Monitor

Të fundit